Shpërthimi i digës, kërkimet dëshpëruese në ortekun e mbetjeve toksike

411
Sigal

Në shtetin brazilian Minas Gerais, vazhdojnë ende kërkimet për gjetjen e 238 trupave të personave të zhdukur nga shpërthimi dramatik i një dige miniere. Skuadrat e shpëtimit kanë një detyrë të zymtë midis djerrinës apokaliptike të mbetjeve të lëngëta minerare.

Ata po përballen me perceptimin se shumë nga viktimat nuk do të mund të gjenden kurrë.

Orteku i mbetjeve të hekurit të Córrego de Feijão, përpiu zonën më 25 janar, duke shkatërruar gjithçka që gjeti përpara, përfshirë zyrat e kompanisë dhe një restorant ku po drekonin qindra punëtorë. Deri më tani, 110 viktima janë gjetur dhe varrosur.

“Zona është tërësisht e shkatërruar. Duket sikur ka pasur një luftë”, tha Edvan Cristi, 23 vjeç, i cili humbi miqtë që punonin në minierë.

Në një video të marrë nga Associated Press, makinat mund të shihen duke ecur dëshpërimisht në përpjekje për t’u arratisur nga forca dramatike e baltës.

Mbetjet, të cilat përmbajnë nivele toksike të oksidit të hekurit, kanë mbuluar  250 hektarë dhe lumin Paraopeba.

“Vale SA”, kompania që drejtonte operonte digën tha se mbetjet nuk kishin nivele të rrezikshme metali, por ekspertët argumentojnë se ndikimi në mjedis mund të jetë i pakthyeshëm.