Shpërthime me tritol, vrasje dhe trafik droge/ Arrestohet në Greqi i shumëkërkuari Ralf Feruku

26
Sigal

Policia greke ka vënë në pranga një shqiptar të shumëkërkuar për vrasje. Ralf Feruku, 48-vjeç nga Melani i Dibrës është ndaluar në Aeroportin e Athinës. Kontrolli në sistem zbuloi se ndaj tij kishte një urdhër ndalimi dalje nga Greqi si dhe një urdhër arresti për “vrasje me qëllim” dhe “shpërthim eksplozivi”.

Konkretisht ai akuzohet për ngjarjen e 29 dhjetorit 2014 në rrugën kombëtare “Attiki”, në afërsi të aeroportit të Athinës, ku në ecje e sipër ka shpërthyer me eksploziv automjeti tip “SMART” me targa IMT-2460 duke lënë të vdekur drejtuesin e mjetit shtetasin Aleks Rapo 35-vjeç dhe duke plagosur rëndë pasagjeren Maria Lamja atëherë 26 vjeç, me origjinë nga Tirana.

Në banesën e 35-vjecarit të vrarë në “Ag. Dimitrios” policia gjeti pistoleta, një revole, 103 fishekë dhe një granatë. Ai kishte precedentë të mëparshëm për trafik droge, armësh dhe njerëzish, ndërsa u arrestua në vitin 2004 në Selanik dhe u dënua me tetë vjet burg. Ai u lirua katër vjet më vonë nga burgu i Larisës.

Rapo ndërkohe, siç shkruhet më vonë ne disa media për të, ishte i përfshirë në grabitjen me shpërthim të ATM-ve me metodën “plofkraak” dhe mbante marrëdhënie me një bodyguard të vjetër në Iliupoli. Ky i fundit ishte akuzuar për çështje droge dhe trafik dhe shfrytëzim femrash. Ai kishte marrëdhënie dhe me njerëz te grupit të Arber Bakos, i cili u vra në burg disa vite më parë nga pjesëtarë të të njëjtit grup.

Kush është Ralf Feruku

Ralf Feruku u shpall në kërkim për vrasjen e Rapos vetëm në vitin 2022. Prokuroria greke e identifikoi si autor të vrasjes Ferukun, pasi ky i fundit një natë para ngjarjes kishte përdorur mjetin tip “Smart” të Aleks Rapos por edhe në baze të disa indicieve të tjera. Feruku në të kaluarën është akuzuar për dy vrasje në Pire dhe në një burg në Kretë, si dhe ka marrë pjesë gjithashtu në një përleshje me bashkatdhetarët e tij jashtë një klubi ku është vrarë një biznesmen në vitin 2019.

Përveç kësaj, ai është akuzuar për vrasjen e një bashkatdhetari të tij në vitin 2017 në Glyfada, por ai u shpall i pafajshëm.
Në Greqi Ralf Feruku njihet edhe si “Taqi shqiptari” apo “Noti”.

Ralf Feruku u arrestua nga policia ne 29 janar 2021 në Lamia në një automjet të blinduar ku ndodhej në shoqërinë e Alket Rizait, i cili kishte dalë për pak ditë me leje nga burgu.

Në momentin e kapjes, policia zbuloi se ndaj Ferukut rëndonte një urdhër arresti si i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e Roland Shembitrasit dhe Gjergji Kapajt në “Joy Bar” në Glifadha në 8 tetor 2017. Pas arrestimit, Feruku u mbajt ne burg deri në 12 prill 2021 kur u lirua me urdhër të prokurorit pa asnjë masë sigurimi dhe u deportua në Shqipëri.

Feruku për herë të parë ka rënë në pranga në vitin 1997 për vrasjen e një greku në Pire por u dënua vetëm 5 vjet burg pasi vrasja u cilësua ne kushtet e vetëmbrojtjes. Gjatë qëndrimit në burgun e Kretës, në 1999 u dyshua bashkë me disa bashkëvuajtës të tjerë për vrasjen e një të burgosuri tjetër por më vonë u shpall i pafajshëm. Ai dyshohet se në 2019 ka marrë pjesë në një shkëmbim zjarri jashtë një mini kazinoje në zonën e Patisias.

Për këtë ngjarje akuzohen edhe disa policë, të cilët u përplasën me armë me civilë për çështje të paligjshme. Gjithashtu në 2015 ai u akuzua si pjesëmarrës në një grup gjobvënësish në Athine, Iliupoli etj. Mësohet se ai ka mohuar vrasjen e Roland Shembitrasit dhe plagosjen e Gjergji Kapaj duke u shprehur se ishte mik i Rolandit dhe klient i lokalit “Joy Bar”.

Ai u shpreh se vrasjen e kanë kryer të tjerë persona që nuk ishin të maskuar dhe se mes tyre dhe viktimës kishte një zënkë para vrasjes.