Shpërthim në Arabinë Sauditë, plagosen disa persona

259
Sigal

Disa persona u plagosën të mërkurën gjatë një shpërthimi në një ceremoni përkujtimore të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në një varrezë në qytetin Jeddah të Arabisë Saudite.

Ministria e Jashtme franceze ka konfirmuar se në ceremoni merrnin pjesë ekipe diplomatike të disa vendeve.

“Ceremonia vjetore e përkujtimit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore në varrezat jomuslimane në Jeddah, ku morën pjesë disa konsullata, përfshirë atë të Francës, ishte shënjestra e një sulmi nga IED pajisje shpërthyese të improvizuara këtë mëngjes, i cili plagosi disa njerëz, “tha ministria e jashtme franceze.

“Franca dënon me forcë këtë sulm frikacak, të pajustifikueshëm,” shtoi ministria.
Një zyrtar i qeverisë greke tha se katër persona u plagosën në shpërthim, duke përfshirë një shtetas grek.

Muajin e kaluar, një shtetas saudit me një thikë plagosi një roje në konsullatën franceze në Jeddah në të njëjtën ditë kur një burrë me thikë vrau tre persona në një kishë në Nice në Francën jugore.

Sulmet filluan me prerjen e kokës së mësuesit të historisë Samuel Paty në periferi të Parisit në 16 tetor pasi ai tregoi karikaturat e Profetit Muhamed.

Mbrojtja e palëkundur e Presidentit Emmanuel Macron ndaj Paty dhe dekorimi i tij me “Legion d’Honneur” pas vdekjes provokuan protesta të furishme në të gjithë botën Islamike. /Deutsche Welle