Shpërthim i fuqishëm pranë selisë së BDI-së në Tetovë, plagoset roja

450
Ende nuk është zbardhur asnjë detaj në lidhje me shpërthimin e ndodhur ditën e djeshme pranë selisë qendrore të BDI-së në Reçicë të Tetovës. Sipas mediave maqedonase mësohet se kanë qenë dy persona të cilët po udhëtonin me motorçikletë të cilët kanë hedhur një bombë pranë selisë së BDI-së në Reçicë të Vogël në Tetovë.
Nga shpërthimi ka mbetur i lënduar vetëm roja i selisë, i cili ndodhej aty në momentin e shpërthimit. Ai është dërguar menjëherë në spitalin e Tetovës ku ka marë edhe ndihmën e nevojshme dhe është jashtë rrezikut për jetën. Në momentin e shpërthimit të bombës në ambientet e selisë nuk ndodhej asnjë nga krerët e kësaj force politike.
Ekipe të SPB-së së Tetovës, të cilët kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, dyshojnë se bomba e hedhur është e tipit ‘kashikara’. Shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm sa ka dëmtuar murin rrethues të selisë.
Banorët e zonës theksojnë se njëri nga fëmijët e fqinjëve i frikësuar nga shpërthimi i fuqishëm është rrëzuar pranë shkallëve të shtëpisë dhe ka pësuar lëndime të lehta. 
Sigal