Shiu shuan disa zjarre në Australi, por pritet rikthim i temperaturave të larta

164

Shiu që ka rënë në zonat kritike të prekura nga zjarri në Australi, kanë ndikuar me ulje të temperaturave, mirëpo zyrtarët kanë paralajmëruar se moti i nxehtë do të kthehet sërish.

Shiu është raportuar të ketë qetësuar situatën në Sidnej, Melbërn dhe në disa pjesë të Uellsit të Ri Jugor, ndonëse zyrtarët kanë raportuar se temperaturat do të rriten të enjten.

“Nuk ka hapësirë për vetëkënaqësi”, ka thënë kryetarja e Uellsit të Ri Jugor, Gladys Berejiklian të hënën në mëngjes.

“Ky mëngjes ka të bëjë me shërbim dhe me të siguruarit se njerëzit që janë zhvendosur, tani janë të sigurt”, ka shtuar mes tjerash ajo.

Galeria Kombëtare e Australisë në Kanberra është mbyllur të hënën për të “anashkaluar ndonjë rrezik për publikun, stafin dhe artin e prezantuar”.

Universiteti Kombëtar i Australisë po ashtu është raportuar të jetë mbyllur.

Australia është duke u përballur me zjarret më të këqija, për shkak të temperaturave të larta dhe thatësisë së madhe.

Ky vend tradicionalisht ka luftuar zjarret, mirëpo kësaj here ato janë konsideruar të jashtëzakonshme.

Në fundjavë, kryeministri australian, Scott Morrison ka paralajmëruar se kriza me zjarre mund të vazhdojë disa muaj.

Të paktën 24 persona kanë vdekur prej kur kanë nisur zjarret e para në muajin shtator.

Cilësia e ajrit në kryeqytetin Kanberra është renditur së fundmi në vendin e fundit të listës së vendeve me ajër të ndotur në botë./R.E.L