SHBA – Trump emëron juristin Neil Gorsuch për Gjykatën e Lartë

454
Presidenti Donald Trump emëroi të martën mbrëma gjyqtarin e Kolorados Neil Gorsuch si kanditatin e tij për anëtar të Gjykatës së Lartë.
Gorsuch, 49-vjeç, i lindur në Kolorado, u emërua në vitin 2006 në Qarkun e 10 të Gjykatës së Apeleve nga ish-Presidenti George W. Bush.
Gjykata e Lartë e SHBA me nëntë anëtarë ka një vend bosh që nga vdekja vitin e kaluar e anëtarit të saj Antonin Scalia, një gjyqtar i njohur konservator që shërbente aty prej 30 vjetësh.
Vitin e kaluar, ish-Presidenti Barack Obama emëroi gjyqtarin e apeleve Merrick Garland për të plotësuar vendin vakant në Gjykatën e Lartë. Por Senati i kontrolluar nga republikanët nuk pranoi ta shqyrtonte kandidaturën, duke thënë se donte që emërimi të vinte nga presidenti i ardhshëm.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer tha të martën se i emëruari i Presidentit Trump do t’i linte të kënaqur votuesit.
“Mund t’ju siguroj se ky person do t’i bëjë shumë, shumë krenarë ata votues si dhe çdo amerikan,” tha Spicer.
Ai shtoi se presidenti e ka marrë shumë seriozisht procesin e përzgjedhjes. “Ai e di se kjo do të ndikojë mbi gjykatat dhe mbi jurisprudencën e vendit tonë për brezat që do të vijnë,” tha ai.
Disa demokratë reaguan menjëherë pas njoftimit të bërë nga Presidenti Trump. Në komentet për rrjetin CNN, kryetarja e pakicës demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve Nancy Pelosi e quajti emërimin e gjyqtarit Gorsuch “tepër armiqësor” dhe “larg rrymës kryesore”.
Sigal