SHBA – Senati amerikan ratifikon anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

601
Senati amerikan mbështeti me shumicë votash anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me shpresë se ka dërguar një mesazh të qartë se Shtetet e Bashkuara do t’u kundërvihen përpjekjeve të Rusisë për të shtuar ndikimin e saj në Evropë.

Nëntëdhjeteshtatë senatorë votuan në favor të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa dy ishin kundër. Ratifikimi kërkonte dy të tretat e votave të 100 anëtarëve të senatit.

Ende nuk dihet se kur mund të pritet nënshkrimi i presidentit Donald Trump, që është hapi i fundit për ratifikimin e anëtarësimit nga Shtetet e Bashkuara.

Administrata e presidentit Trump e ka mbështetur anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik, ndonëse gjatë fushatës për zgjedhjet presidenciale, presidenti Trump kishte akuzuar anëtarët e NATO-s se kishin dështuar të paguanin detyrimet e tyre. Por, si president ai kishte premtuar mbështetje për aleancën.

Më herët gjatë këtij muaji, sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, i dërgoi një letër senatit që të miratojë traktatin para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, në të cilin do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare.

“Pjesëmarrja e Malit të Zi në takimin e NATO-s si anëtar i plotë dhe jo si vëzhgues, do të dërgonte mesazhin e fuqishëm për unitetin transatlantik dhe që asnjë palë e tretë nuk mund të ketë fuqinë e vetos mbi vendimet e NATO-s.” shkruante sekretari Tillerson. Sipas tij, anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, do të përcaktonte një kufi të ngjeshur të NATO-s, përgjatë bregut të Detit Adriatik.

“Kjo është më shumë se sa çështja e anëtarësimit apo jo të një kombi me 650 mijë banorë”, tha kryetari i komitetit për forcat e armatosura, republikani John McCain nga Arizona. ” Kjo është një provë në këtë garë në të cilën jemi përfshirë me presidentin rus, Vladimir Putin”, tha ai

“Mali i Zi po përpiqet të bëjë tërë atë që Putini e urren”, tha republikani nga Karolina e Jugut Lindsey Graham. “Aleancat e demokracisë janë makthi i tij më i keq”.

“Miratimi do të përmirësonte sigurinë. Ai do të forconte aleancën dhe do të dërgonte një mesazh të vendosur tek Rusia”, tha senatori demokrat nga Maryland Ben Cardin.

Vetëm dy vota kundër ishin nga senatorët republikanë Rand Paul dhe Mike Lee, të cilët edhe kishin vonuar votimin.

Senatori Paul kishte vënë në pikëpyetje maturinë e një akti që zemëron Rusinë, ndërsa theksoi se taksapaguesit amerikanë nuk duhet të dëtyrohen të paguajnë nëse Mali i Zi sulmohet.

Mali i Zi është në mes të përplasjeve ndërmjet perëndimi dhe Rusisë mbi ndikimin në Ballkan. Rezultati mund të përcaktojë orientimin e rajonit: drejt NATO-s e Bashkimit Evropian apo prapa në sferën ruse të ndikimit. Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në Ballkan.

Anëtarësimi i Malit të Zi duhet të ratifikohet nga 28 vendet anëtare të NATO-s para bashkimit formal të tij në aleancë, Vetëm tri vende anëtare nuk e kanë përmbyllur miratimin.
Sigal