SHBA: Qeveria shqiptare ta dijë mirë se nuk e falim korrupsionin, shumë shpejtë do ketë ‘goditje’

609
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga Politiko.al nëse DASH ishte ‘keqinformuar’ nga Ambasada Amerikane në Tiranë mbi ‘rastin Llalla’, siç pretendoi ky i fundit në një deklaratë për WSJ, tha se Sekretari Tillerson ka patur ‘informacione të besueshme mbi përfshirjen e Adriatik Llallës në korrupsion sinjifikativ gjatë mandatit të tij si Kryeprokuror’.
Zëdhënësi ka pranuar gjithashtu se, në Departament po shqyrtohen raste të tjera të korrupsionit të zyrtarëve dhe se ‘piketimi’ i Llallës është i rëndësishëm për faktin se ‘qeveria shqiptare [dhe populli shqiptar] duhet ta dijë se sa seriozisht e shohim ne korrupsionin’.
Intervista
Politiko: Kur merr një vendim mbështetur në Klauzolën 7031(c), Departamenti i Shtetit nuk është i detyruar të bëjë publike të dhëna të caktuara që çojnë në skualifikimin e një zyrtari, megjithatë, në rastin e z.Llalla, ju zgjodhët t’a bëni publike arsyen. A mund ta shtjelloni arsyetimin pas këtij vendimi? A kishe diçka posaçërisht skandaloze në akzuat për korrupsion kundër tij?
Zëdhënësi i DASh: Për rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast të veçantë, ne besojmë se është e rëndësishme, për qeverinë shqiptare dhe popullin shqiptar, ta dinë se sa seriozisht e shohim ne korrupsionin.
Politiko: Vendimi për t’i skualifikuar nga hyrja në Amerikë edhe anëtarët e familjes së z. Llalla, që nuk janë nënshtetas amerikanë, duket i pazakontë. A mund të na shpjegoni arsyetimin pas këtij vendimi? 
Zëdhënësi i DASh: Klauzola 7031(c), jo vetëm që e skualifikon një zyrtar të një qeverie të huaj nga mundësia për vizë amerikane, në rastin kur ai është përfshirë në korrupsion sinjifikativ, por gjithashtu kërkon që, anëtarët e familjes së afërt të atij zyrtari, të skualifikohen gjithashtu nga kjo mundësi.
Politiko: Z. Llalla, në një deklaratë për The Wall Street Journal, ka thënë se ‘ambasada amerikane në Tiranë e ka dizinformuar me dashje’ Departamentin e Shtetit. A është keqinformuar Sekretari i Shtetit nga Ambasada juaj këtu në Tiranë?
Zëdhënësi i DASh: Sekretari ka informacione të besueshme që z. Llalla ka qenë i përfshirë në korrupsion sinjifikativ gjatë mandatit të tij si Prokuror i Përgjithshëm. 
Politiko: Ka skeptikë në qarqet politike dhe mediatike në Shqipëri, që kërkojnë ‘fakte’, dhe e shohin Llallën si ‘kokë turku’, një sinjal që kërkon t’u përcjellë qeveria amerikane ‘kundërshtarëve’ të Reformës në Drejtësi. Ndërkohë, tani që e kemi një precedent, a do të kemi të tjerë ‘persona non grata’ në listën e Sekretarit Tillerson?
Zëdhënësi i DASh: Kur Sekretari merr informacion të besueshëm, se një zyrtar është përfshirë në korrupsion sinjifikativ dhe/apo dhunim të të drejtave të njeriut, ai është i kushtëzuar që ta ‘piketojë’ atë zyrtar dhe anëtarët e familjes së tij duke përdorur klauzolën 7031(c). 
Ne jemi, në mënyrë aktive, duke shqyrtuar raste dhe do ta përdorim këtë autoritet në mënyrë globale. Në varësi të rrethanave të caktuara, disa prej ‘piketimeve’ bëhen publikisht dhe, disa të tjera, privatisht.
Sigal