SHBA: Jeff Sessions bën betimin si Prokuror i Përgjithshëm

485
Senatori Jeff Sessions bëri sot betimin në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, si Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara.
Senati e miratoi zotin Sessions të mërkurën, pas debateve të ndezura që zgjatën më shumë se një ditë dhe një konfrontim dramatik, që çoi në qortimin dhe ndalimin e fjalës në podiumin e diskutimeve të një demokrateje të njohur.
Votimi 52 pro dhe 47 kundër e bën zotin Sessions, i cili prej vitesh ka qenë senator i shtetit të Alabamës, zyrtarin më të lartë të zbatimit të ligjit dhe anëtarin e gjashtë të administratës së re të Presidentit Trump që merr konfirmimin e Senatit.
“Ky është një nder i veçantë për mua, – zoti Sessions u tha kolegëve të tij në fjalimin e lamtumirës si senator, pas votimit. “Shpresoj dhe lutem që ta justifikoj besimin tuaj tek unë. Do të bëj ç’është e mundur për ta realizuar këtë,”- tha ai.
“Ne të gjithë e njohim atë si një njeri me integritet të thellë, që e mban fjalën, një njeri të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe ajo që është më e rëndësishme, ndaj sundimit të ligjit.”- tha Kryetari i Komisionit Juridik të Senatit, republikani i shtetit Ajova, Chuck Grassley.
Një mbështetës i hershëm dhe i zjarrtë i zotit Trump gjatë fushatës së tij të trazuar elektorale, zoti Sessions u zotua se si Prokuror i Përgjithshëm, ai do ta verë ligjin mbi politikën.
“Presidenti duhet ndihmuar t’i realizojë gjërat që ai dëshiron me mjete ligjore dhe duhet të kesh guximin t’i thuash edhe “jo” presidentit”, – tha zoti Sessions në seancat për konfirmimin e tij muajin e kaluar.
Sigal