SHBA-ja hakmerret ndaj sulmit në Somali, vret katër terroristë të Al Shabab-it

432
Sigal

Forcat amerikane njoftuan se kanë kryer sulme ajrore në Somali dhe kanë vrarë katër terroristë të grupit militant “Al-Shabab”, pas vrasjes së 79 personave me një veturë bombë në kryeqytetin somalez, Mogadishu.

“Në bashkëpunim me qeverinë federale të Somalisë, Komanda e Forcave Amerikane për Afrikën ka kryer tri sulme ajrore në dy lokacione, ku ishin militantët e grupit Al Shabab”, thuhet në deklaratën e ushtrisë amerikane.

Shkalla e sulmeve amerikane në Somali u rrit ndjeshëm pasi presidenti Donald Trump e shpalli pjesën jugore të këtij shteti si zonë e armiqësive aktive.

Në një deklaratë të publikuar në prill të këtij viti, forcat amerikane në Afrikë thanë se kanë vrarë më shumë se 800 persona në 110 sulme ajrore në Somali prej prillit të vitit 2017.

Përgjegjësinë për sulmin e së shtunës në Mogadishu ende nuk e ka marrë asnjë grup, por qyteti vazhdimisht goditet nga shpërthimet e organizuara nga grupi “Al-Shabab”.

Ky grup ishte larguar me forcë nga kryeqyteti në vitin 2011, por ende i ka nën kontroll disa zona rurale, shkruan “The Guardian”.