Sërish gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Opozita: Deri në largimin e qeverisë

649
Pas protestës së mbajtur në Prishtinë dy ditë më parë, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, opozita shprehet e vendosur për të penguar punën e Kuvendit. Në seancën e parë plenare për vitin 2016, opozita e Kosovës ka hedhur sërish gaz lotsjellës në sallë, duke bllokuar punën e Kuvendit. Për seancën e sotme janë gjithsej 22 pika të rendit të ditës dhe kryesisht kanë të bëjnë me projektligjet që lidhen me procesin e liberalizimit të vizave. Pavarësisht gazit losjellës, deputetët e pranishëm kanë votuar një projektligj. Ndërkohë, tri partitë opozitare, kanë paralajmëruar se nuk ka ndryshim qëndrimesh dhe veprimesh nga ana e tyre, derisa vendi të mos ketë shkuar në zgjedhje të parakohshme. Mbetet të shihet nëse seancat e Kuvendit të Kosovës edhe këtë vit do të vazhdojnë me gaz lotsjellës dhe mbajtje të seancave në sallën e improvizuar.
THAÇI: SJELLJA E OPOZITËS PRIMITIVE
Ish-kryeministri Hashim Thaçi ka komentuar bllokimin e seancës pas hedhjes së gazit lotsjellës nga opozita. Ai i ka quajtur sjelljet e tyre si primitive dhe se tregojnë një fytyrë të vërtet të eprorëve opozitarë. Ai thotë se ka besuar se pas protestës paqësore, opozita do t’i kthehet normaliteti në Kuvend. “Besoj që është një vazhdimësi e sjelljeve primitive të shëmtuara për demokracinë e Kosovës, një fytyrë e vërtet e këtij reagimi e eprorëve opozitarë. Ne do të vazhdojmë të punojmë për zhvillimin ekonomik, mirëqenie sociale. Asnjë fuqi s’do ta ndalë punën tonë. Kjo gjendje do të tejkalohet pavarësisht reagimeve. Edhe pse ka reagime të tilla, dhe ne menduam që pas protestës paqësorë do t’i kthen normalitetit të Kuvend, por për fat të keq mashtruan opinion publik dhe faktorët ndërkombëtarë.
LIMAJ: POZITA DËSHIRON THELLIMIN E KRIZËS
Kryetari i Nismës dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj ka thënë se pozita dëshiron të thellojë krizën politike, me anë të thirrjes së seancave në Kuvend, transmeton Koha.net. “Gjykata Kushtetuese ka treguar se Qeveria ka shkelur ligjet me anë të marrëveshjeve për Zajednicën dhe Demarkacionin. Ne vazhdimisht kemi paralajmëruar që nuk duhet të thirret seanca parlamentare pasi nuk ka kushte për zhvillimin e saj. Kjo sjellje e pozitës tregon se ata nuk janë të interesuar për zgjidhje të krizës, përkundrazi dëshirojnë thellimin e saj”, është shprehur Limaj. Sipas tij zgjidhja e vetme e krizës janë zgjedhjet e parakohshme. “Vendi është në një gjendje të rëndë, thirrja e seancave është për thellimin e krizës, zgjidhja e krizës janë zgjedhjet”, ka thënë Limaj.
KURTI: PO BËJNË PAZARE NATËN ME SERBINË

Fill pas ndërprerjes së seancës plenare, ka reaguar deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Gjatë fjalës së tij Kurti tha se miratimi i rezolutës kundër dënimit të ushtarëve të UÇK-së nga gjykata e Serbisë, ishte një farsë. “Këta njerëz që bëjnë pazare natën me Serbinë ditën dhe po bëjnë rezoluta kundër tyre. Le ti ndërprenë pazaret me Serbinë, këta janë të rrejshëm”, ka thënë Kurti.
Ai ka komentuar edhe sulmin me vezë që i është bërë sot në hyrje të Kuvendit, duke e fajësuar Policinë e Kosovës. “Është e qartë se bëhej fjalë për dy persona që rrinin afër policisë. Policia reagoi me marrëveshje së pari i la të më gjuajnë e më pas kinse e arrestuan njërin prej tyre”, tha Kurti.
Sigal