Serbia bënë letrat për në BE, por nënshkruan edhe për… armë ruse

473
Sigal

Pa u mbushur dhjetë ditë nga vizita e ministrit rus të
punëve të Jashtme Sergey Lavrov në Beograd, kryeministrit serb inspektoi
gjashtë avionë ushtarak MiG-29 në Moskë, të cilat do t’i marrë nga Rusia bashkë
me 30 tanke të tipit T-72 dhe 30 autoblinda që ishin pjesë e rezervave ruse, të
cilat i janë dhënë Serbisë në një veprim që shihet si forcim i ndikimit të
Moskës në Ballkan. Pas një takimi me ministrin rus të Mbrojtjes, Sergey Shoigu,
kryeministri serb tha se Beogradi do të shpenzojë ndërmjet 180 dhe 230 milionë
euro për të modernizuar avionët MIG-29, për të cilat do të duhej të paguante
mbi 600 milionë euro në treg. Presidenti Vuçiç, po ashtu ka hapur negociatat me
Rusinë për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore. Ministri rus propozoi një
ushtrim ushtarak trepalësh ndërmjet Rusisë, Serbisë e Bjellorusisë “për të
thelluar vëllazërinë sllave”, thuhet në një deklaratë të qeverisë serbe.
Forcat ushtarake serbe janë të mbështetura pothuajse 80 për qind në teknologji
sovjetike, një trashëgimi nga Armata Popullore Jugosllave dhe planifikojnë të
blejnë pajisje nga të dyja palët, Rusia dhe Bashkimi Evropian për të
përmirësuar forcat e saj ajrore të varfëruara nga luftërat ballkanike të viteve
1990. Vuçiç, ka nënvizuar qëndrimin e paanshëm të Serbisë dhe ka shfaqur
shpresën se bashkëpunimi politik, ekonomik e ushtarak ndërmjet të dyja vendeve
do të përmirësohet”, thuhet në komunikatën e qeverisë serbe. Marrëveshja
me Serbinë u bë në një kohë kur Rusia ka shtuar përpjekjet për të penguar
afrimin e mëtejshëm të Ballkanit me perëndimin dhe në një periudhë të shtimit
të tensioneve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë. Serbia një aleate tradicionale e
Rusisë synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë
ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve
euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. Aleate e
Beogradit, Moska nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ndërsa kundërshton fuqishëm
anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO dhe është thellësisht e pakënaqur që
Mali i Zi tashmë ka marrë ftesën për anëtarësim në aleancë. “Pa Rusinë është e
pamundur të mbrojmë tërësinë tonë tokësore dhe sovranitetin, Kur flasim për
marrëdhëniet me Rusinë, flasim edhe për të ardhmen tonë. Serbia kurrë nuk do të
jetë shtet anti-rus siç janë bërë disa vende. Ne nuk do t’u bashkohemi
sanksioneve dhe masave kufizuese. Nuk kemi qëllim të bëhemi anëtar i
NATO-s”, tha ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç gjatë vizitës së
ministrit rus Lavrov në Beograd dhjetë ditë më parë.