Serbi, Daçiç letër Ban Ki-moon: Kosova nuk hyn në UNESCO, s’është shtet

254
Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç i ka shkruar letër sekretarit të përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, me rastin e aplikimit të Kosovës për tu anëtarësuar në Agjencinë e OKB-së për Arsim Shkencë dhe Kulturë – UNESCO.
Në letër Daçiç ka theksuar se kjo është e papranueshme për Serbinë,për shkak se Kosova nuk mund të konsiderohet si një shtet.
Në letrën që gazeta serbe Tanjug ka siguruar nga Ministria e Puënve të Jashtme, nga Daçiç shkruhet se Serbia nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj lidhur me statusin e krahinës së Kosovës (siç e quan Serbia), ndonëse ai vazhdimisht përballet me përpjekjet e Prishtinës për të marrë pjesë në aktivitetet e organizatave ndërkombëtare jashtë kontekstit të marrëveshjes për përfaqësim dhe bashkëpunim rajonal.
Kjo përpjekje është diçka e papranueshme për Serbinë ka thënë ministri, duke e përmendur shembullin e fundit, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në UNESCO.
“Kosova, si një territor i rregulluar me rezolutën e vlefshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244 të vitit 1999, e i administruar nga Kombet e Bashkuara, në kontekst nuk mund të konsiderohet si një shtet në të drejtën ndërkombëtare, dhe si rezultat i kësaj nuk mund të kualifikohet për pranim në UNESCO”, është shprehur Daçiç në letër.
Ai ka deklaruar se në këtë drejtim, çdo shqyrtim i mundësisë për anëtarësim të Kosovës në këtë agjenci, do të përbënte mospërfillje ose shkelje të rregullave ligjore të shkruara nën patronazhin e OKB-së, në mënyrë që të ruajë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. /Express/