Seancë e jashtëzakonshme, Kuvendi rezolutë: Lironi Ramush Haradinajn

530
PRISHTINË – Kuvendi i Kosovës është mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme për të marrë një vendim lidhur me arrestimin e ish-kryeministrit, Ramush Haradinaj. Kreu i AAK-së u arrestua dje në Lubjanë. Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan gjatë seancës që të miratohet një rezolutë duke e cilësuar të prapranueshem sjelljen e autoriteteve sllovene. Ndërkohë, gjykata sllovene në Lubjanë pritet të marrë sot një vendim për Haradinajn, i cili është lënë i lirë por pasaporta i është mbajtur e bllokuar.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës një rezolutë të posaçme që ta miratojnë deputetët për ta liruar menjëherë Ramush Haradinajn. “Haradinaj po vazhdon të mbahet në Slloveni. Ai nuk po lejohet të kthehet në Kosovë. Një rezolutë të menjëhershme që të marrim veprime që z. Haradinaj brenda orëve të kthehet në Kosovë”, tha Kadaj Bujupi. Kryetarët e Grupeve Parlamentare kërkuan një pushim dhjetë minuta për t’i harmonizuar qëndrimet dhe më pas të kthehen në Kuvend.
Ambasadori i Koosvës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi duke komentuar arrestimin e Haradinajt është shprehur se kjo gjë mund të dëmtojë marrëdhëniet mes dy vendeve. “Besojmë se autoritetet në Slloveni nuk do të bëjnë veprime të tilla që cenojnë raportet tona. Mbi bazën e urdhërarresteve politike nuk mund të merren veprime të tilla të pakuptimta”, tha Rexhepi.
Ndërsa, ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Miljan Majhen është shprehur se ndalimi i Haradinajt nuk është politik. “Është vështirë të paragjykohet nëse cenohen marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Duhet të shihet rrjedha e ngjarjeve për të parë se sa do të ndikojë ky rast në relacionet mes Sllovenisë dhe Kosovës”, është shprehur Majhen.
Sigal