Schutz: Liria e shtypit me rëndësi për procesin e Integrimit

71

Ish-ambasadorja gjermane në Tiranë, Susanne Schutz, aktualisht drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme gjermane, thotë se Reformat në Drejtësi si edhe Reforma Zgjedhore janë identifikuar si kushte prioritare nga Gjermania dhe BE-ja. Në një intervistë për portalin investigativ “Balkan Insight”, Schutz pranon se reforma në drejtësi apo Vetting-u mbeten sfidë edhe pse të miratuara katër vite më parë, duke e bërë pjesërisht jofunksionale shtyllën legale të vendit.

”Është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar, i cili ka çuar përkohësisht edhe në një mosfunksionim të pjesshëm të gjyqësorit. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka asnjë alternative për këtë proces thelbësor. Pasi të përfundojë, sundimi i ligjit në Shqipëri do të forcohet në të mirë të popullit shqiptar”. Reforma Zgjedhore është një tjetër kërkesë e Brukselit që ka mundur të marrë zgjidhje vetëm së fundmi, por për Gjermaninë shqetësim mbetet qasja e qeverisë shqiptare ndaj medies, dhe përkatësisht projektligji i saj për rregullimin e hapësirës informative digjitale, të faqeve online.

Schutz e sheh lirinë e medieve si themel të demokracisë dhe se legjislacioni i ri dhe mungesë e organeve të pavarura në rastin e AMA-s, shkojnë përkundër kësaj fryme. ”Raporti i fundit i përkohshëm i Komisionit Europian me të drejtë e cilësoi projektligjin si si të mangët në fusha të caktuara dhe jo plotësisht në përputhje me standardet e BE-së dhe praktikat më të mira në lidhje me lirinë e shtypit dhe medias. Përmirësimi i ligjit në këto aspekte do të ishte një hap inkurajues në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së”.

Kapitulli 23 për sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore, së bashku me lirinë e medies, shihet si një nga dy kapitujt më të rëndësishëm që pritet të përcaktojë ritmin e avancimit të Shqipërisë drejt familjes europiane. Gjermania dhe Brukseli do vijojnë ta mbështetin sidomos tani në këtë periudhë pandemie por edhe për temat si emigracioni teksa sfidë e ngutshme mbetet edhe progresi i dialogut Kosovë-Serbi, për të cilin Berlini shfaqet i vendosur ta përmbyllë së shpejti.