“Sapo pushova shefin e FBI-së. Ai ishte i çmendur, vërtet i çmendur”

509
Presidenti amerikan Donald Trump u tha zyrtarëve rusë se shkarkimi i drejtorit të FBI-së, James Comey, hoqi një “presion të madh” nga shpatullat e tij.

Lajmi raportohet nga mediat amerikane, të cilat citojnë një dokument ku përmblidhet takimi i javës së kaluar me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov dhe ambasadorin rus në SHBA, Sergei Kislyak, ku Trump e ka cilësuar Comey-n si “të çmendur”.

“Sapo pushova shefin e FBI-së. Ai ishte i çmendur, vërtet i çmendur. Ndieja presion të madh për shkak të Rusisë. Tani kjo iku,”- shkruhet në raportin e publikuar së fundmi në mediat amerikane.

Zoti Trump e shkarkoi James Comey nga detyra e tij si shef i FBI, pikërisht një natë përpara këtij takimi, një lëvizje që tronditi Uashingtonin. Kritikët akuzuan presidentin se po përpiqej të pengonte hetimin e FBI-së mbi ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe çdo lidhje të Moskës me bashkëpunëtorët e Trump. Comey ka rënë dakort të japë detaje të hetimit në një seancë dëgjimore publike me Komitetin e Senatit të Inteligjencës që pritet të zhvillohet muajin e ardhshëm. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk e ka kundërshtuar gjuhën e përdorur në takimin e zhvilluar në Zyrën Ovale mes zotit Trump dhe përfaqësuesve rusë.

Në një tjetër zhvillim, mediat amerikane gjithashtu raportojnë se një zyrtar aktual i Shtëpisë së Bardhë është një “person i rëndësishëm interesi” në hetimin mbi marrëdhëniet e pretenduara mes fushatës së Trump dhe Rusisë.

Mediat citojnë burime anonime të cilat thonë se bëhet fjalë për një person shumë pranë presidentit, por pa e identifikuar atë tërësisht. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka mohuar se ka patur bashkëpunim mes fushatës së Trump dhe ndonjë entiteti të huaj.
Sigal