Rusia akuzon Perëndimin për “ndërhyrje” në Bjellorusi

206
Sigal

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov ka akuzuar Perëndimin se ka ndërhyrë në Bjellorusi, teksa u takua me Alyaksandr Lukashenkon, i cili po përballet me protesta të prej disa muajsh, ku po kërkohet dorëheqja e tij dhe po kontestohen rezultatet e zgjedhjeve presidenciale.

Lavrov zhvilloi takime me Lukashenkon dhe zyrtarë të tjerë të lartë në Minks. Vizita e tij në kryeqytetin bjellorus është shfaqja e fundit e mbështetjes së Moskës ndaj regjimit të Lukashenkos.

Mijëra protestues po kërkojnë dorëheqjen e Lukashenkos dhe që prej zgjedhjeve të 9 gushtit kanë organizuar protesta, duke qenë se lideri 66-vjeçar – që është në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994 – pretendoi se ka fituar mandatin e gjashtë presidencial.

Protestuesit nga ana tjetër pretendojnë se kandidatja opozitare, 38-vjeçarja Svyatlana Tsikhanouskaya është fituesja e vërtetë e zgjedhjeve.

Moska ka vazhduar mbështetjen për Lukashenkon që prej nisjes së protestave, kur gjithashtu kanë nisur të mbahen disa takime ndërmjet zyrtarëve të lartë të të dyja shteteve.

Duke folur në një konferencë të përbashkët me homologun e tij bjellorus, Uladzimer Makey, Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara dhe disa shtete europiane kanë “ndërhyrë” në çështjet e brendshme të Bjellorusisë.

“Populli i mençur bjellorus është në gjendje që ta kuptojë vetë situatën pa ndërmjetësimin e pakërkuar nga jashtë”, tha kryediplomati rus.

Lukashenko ka pretenduar se vendet Perëndimore kanë orkestruar protestat përmes së cilave po bëhet thirrje për largimin e tij nga pushteti.

Lavrov tha se Perëndimi po “përdor metodat e tij të pista, të ashtuquajtura revolucione shumëngjyrëshe, përfshirë manipulimin e opinionit, mbështetjen e forcave që qartësisht janë anti-qeveritare dhe duke nxitur radikalizmin e tyre”.

Liderët perëndimorë kanë refuzuar që të njohin rezultatet zgjedhore në bjellorusi dhe po mbështesin Tsikhanouskayan, e cila u largua nga Bjellorusia për në Lituani, pas zgjedhjeve.

Bashkimi Europian ka vendosur sanksione ndaj Lukashenkos dhe një numri të aletëve të tij, me akuzën e mashtrimeve zgjedhore dhe dhunës së tepruar policore ndaj protestuesve.

Forcat e sigurisë kanë arrestuar mijëra protestues dhe anëtarë të opozitës bjelloruse. Ka raportime se autoritetet e sigurisë kanë përdorur edhe tortura gjatë shtypjes së protestave.

Shumica e liderëve opozitarë bjellorusë janë arrestuar ose janë detyruar që të largohen nga vendi.