Rusi, Kremlini përshëndet fillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë Trump-Kim

455
Sigal

Kremlini përshëndeti sot fillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë midis SHBA-së dhe Koresë së Veriut, pas takimit të parë mes Donald Trump dhe Kim Jong Un, duke paralajmëruar se kriza koreano-veriore nuk mund të zgjidhej për një orë.

”Mundet vetëm të përshëndesim faktin e arritjes së një takimi të tillë dhe fillimin e një dialogu të drejtpërdrejtë”, u shpreh në një komunikatë për shtyp zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.

”Cilatdo qofshin rezultatet e takimeve të tilla, ato pa dyshim ndihmojnë në zbutjen e tensioneve në gadishull dhe kjo gjë ngjall vetëm kënaqësi”, theksoi ai.

Ai theksoi gjithashtu pozicionin e Rusisë, sipas së cilës e vetmja rrugë e mundshme për të zgjidhur krizën bërthamore koreano-veriore ishte ajo e një dialogu të drejtpërdrejtë.

Donald Trump dhe Kim Jong Un zhvilluan të martën një takim historik në Singapor që u finalizua me nënshkrimin e një deklarate të përbashkët pa një progres të dukshëm për çështjen e mprehtë të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut.