Rreziku nga COVID-19: Kosova drejt mbylljes

276
Sigal

39 mijë e 57 raste me koronavirus janë regjistruar në Kosovë që nga shfaqja e rasteve të para më 13 mars. Numri i vdekjeve nga COVID-19 në vend ka arritur në 1 mijë e 5 raste. Rritja të rasave ka pasur kohëve te fundit. Sot mund të mbyllet komplet Kosova.

Kosovës të dielën i janë​ shtuar 626 raste të​ reja me koronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se brenda 24 orëve janë regjistruar edhe 16 viktima.

E rritja e rasteve duket se ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që të marrë masa të reja.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se të hënën (sot) do mbajnë takim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, me ç’rast do të vendosin nëse do të marrin masa shtesë anti-COVID, duke parë se numri i vdekjeve është i lartë dhe personave të infektuar po ashtu.

“Të hënën pasdite do të ulemi të bisedojmë me IKSHP dhe Bordin dhe nëse është e nevojshme që të ndërmarrim edhe ndonjë masë që e ul infeksionin dhe zbrit rastet spitalore që janë shqetësimi më i madh”, ka thënë dje Zemaj.

I pyetur se a mund të ketë mbyllje totale ai ka thënë se do të veprohet ashtu si thonë profesionistët shëndetësorë, duke mos e përjashtuar kështu një gjë të tillë.

“Të gjitha rekomandimet që vijnë nga profesionistët, edhe për mbyllje, do ta shohim edhe ditën për kufizimet që duhet të ndërmarrim. Mbyllja është opsioni i fundit”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë të ditur se numri total i rasteve pozitive është 39.057 raste nga 142.769 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.005 raste të vdekjes.

IKSHPK ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 673 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 24.427 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.625.

Instituti Kombëtar ka bërë thirrje qytetarëve që të respektohen masat për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 39,057 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton koronavirusi. Prej tyre 1,005 pacientë kanë vdekur.

Kosova që nga 20 nëntor 2020, kishte vendosur masat për komunat e Kosovës, sipas kategorizimit të ri lidhur me numrin e të infektuarve në 100 000 banorë.

Në zonën e kuqe bëjnë pjesë komunat me rrezik të lartë apo komunat me mbi 151 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.

Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica. Në zonën e verdhë bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, apo komunat prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.

Në këtë zona janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj. Në zonën e gjelbër bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës. Në këtë zonë bëjnë pjesë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.