Referendumi mbi ndryshimet kushtetuese, italianët votojnë për të ardhmen e Renzit

420
Sigal

Italianët u janë drejtuar kutive të votimit për referendumin mbi ndryshimet kushtetuese, një zhvillim që po ndiqet nga afër nga i gjithë kontinenti, që pret një shfaqje tjetër të ndjesive kundërelitë në Europë.

Referendumi, i organizuar nga kryeministri Matteo Renzi, bëhet për të reformuar parlamentin, por nga shumë të tjerë pritet të përdoret si një mundësi për të shprehur pakënaqësinë.

Partitë populiste në Itali, përfshirë “Lëvizjen 5 yjet”, kanë bërë fushatë që njerëzit të votojnë kundër referendumit, madje kanë kërkuar një tjetër referendum për euron.

Kryeminstri italian Matteo Renzi ka premtuar dorëheqjen nëse humbet në referendum, ndërsa sondazhet sugjerojnë pikërisht këtë, se ai nuk do t’ia dalë dot.

Por dështimi i tij në referendum shkon përtej largimit të kryeministrit të radhës. Humbja e qeverisë në referendum është një sinjal se populizmi në Europë vazhdon të rritet, dhe se “Brexit” ishte vetëm shenja e parë.

Shumë votues italianë janë të pakënaqur me plogështinë ekonomike të vendit, ndërsa Europa mban frymën pezull, pasi një humbje e Renzit, udhëheqës i ekonomisë së tretë më të madhe në union, mund të lëkundë stabilitetin financiar të Eurozonës.

Kutitë e votimit në Itali u hapën në orën 7 të mëngjesit dhe do të mbyllen në orën 23. Rezultatet e referendumit priten mëngjesin e së hënës.