Rama: Kur Ballkani lodhet nga durimi, s’ka BE që e fut në vathë!

431
Sigal

PRISHTINE – “Kur ballkanasit lodhen nga durimi, nuk ka BE që i fut në vathë, që të bashkëpunojnë si dele të urta” Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama nga Prishtina gjatë një forumi bashkëbisedues, në qendër të së cilit ishte e ardhmja e Ballkanit, dhe prioriteti i kombit shqiptar për integrimin në Bashkimin Evropian.

Në këtë mënyrë, nga Prishtina shefi i qeverisë shqiptare, ka paralajmëruar Bashkimin Evropian se ballkanasit lodhen nga durimi, lidhur me politikat gjeruese të unionin evropian, dhe kur diçka e tillë ndodh atë herë sipas tij bëhet edhe më e vështirë që rajoni të bashkëveprojë siç i cilësoi ai, si “dele të urta”.

Teksa uroi qytetarët e Kosovës për vitin e ri 2015, Rama nënvizoi se rruga e bashkimit kombëtar të shqiptarëve në Shqipëri e Kosovë duhet të finalizohet në BE.

“Ju uroj shqiptarëve kudo që janë gëzuar Vitin e Ri 2015! Vit shpresëplotë që do ta hapim me mbledhjen e kthimit të dy qeverive për të parë se ku jemi në rrugën e bashkimit
të rrugëve tona drejt së ardhmes, që ky moment i madh të mos na ikë pa i marrë maksimumin. Të vazhdojmë të jemi faktor nxitës për të çuar përpara procesin e paqes në rajon por faktor me autoritet dhe të respektuar që BE të kthejë kokën nga ne, si shqiptarë dhe të ndahet nga frika e madhe që e ka mbërthyer, lodhjes së zgjerimit siç thonë ata. Ti bëjmë të kuptojmë se ne cenohemi nga lodhja e durimit. S’ka më BE që i fut në vathë ballkanasit kur lodhen nga durimi, që të bashkëpunojnë si dele të urta”.

Rama: Sot koha e shqiptarëve! 
Kryeministri Rama vlerësoi kohën dhe vëmendjen e dhënë nga faktori ndërkombëtar ndaj kombit shqiptar, duke theksuar se kjo vëmendje, nuk ka qenë kurrë kaq e madhe.

Prandaj kryeministri Rama nënvizoi se edhe klasa politike e të gjithë realiteteve shqiptare kudo ku janë, duhet të jetë e përgatitur për të marrë maksimumin nga ky moment dhe të ardhmen që na pret.

Kjo pasi sipas tij, politika shqiptare është ende e prapambetur në raport me të ardhmen që e pret si dhe në raport me bazën e përfaqësimit politik, duke shtuar se kjo është fakt në të gjitha hapësirat e kombit shqiptar.

“Kjo kohë e re, po sjell vazhdimisht për shqiptarët, një lajm të mirë dhe një lajm të keq. Lajmi i mirë është se shqiptarët s’kanë qenë kurrë kaq të respektuar në arenën ndërkombëtare sa sot. Ky është një fakt historikisht domethënës, që mbetet si pika të ndezura të historisë. Është po kaq e vërtetë se kur jemi bashkëkohës të një fakti të tillë, jemi rëndom përgjegjës për humbjen apo rëndojmë pamjen e një fakti të tillë. Është një fakt domethënës në Shqipëri, ku ende sot shkëputja leniniste ndaj kundërshtarit politik nuk është shkëputur. Mbase shqiptarët e Luginës së Preshevës janë më të justifikuar për brishtësinë e bashkëveprimit, por prapë prapambetja e politikanëve shqiptarë, në të gjitha hapësirat ku jetojmë, dhe në raport me bazën e përfaqësimit politik, është fakt edhe atje. Unë hyj tek ata që në këtë moment potencial për shqiptarët, perceptoj një zhvillim politik dhe ndërkombëtar dhe ta shfrytëzojmë këtë potencial që e kemi në dorë, dhe jo domosdoshmërisht të përsëritshëm të paktën në 50 vjet.”