Qeveria e Malit të Zi kërkon marrëveshje: Mund të flasim për demarkacionin

404
Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun në Qeverinë e Malit të Zi, ka reaguar përmes një komunikate sqaruese për mediat, lidhur me kundështitë në Kosovë rreth marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e kufijve shtetëror.
Duke i konsideruar këto mospajtime si çështje të brendshme të Kosovës, Qeveria e Malit të Zi mbron qëndrimin se marrëveshja për demarkacionin është vendosur sipas kufijve administrativë në ish-Federatën Jugosllave.
Megjithatë nëse dikush ka dyshim mbi këtë, Qeveria e Malit të Zi shprehet e gatshme ta konsiderojë çdo vërejtje, pasi sipas asaj që është shkruar në komunikatë, Mali i Zi nuk dëshiron mosmarrëveshje me fqinjët.
Komunikata e plotë të Qeverisë së Malit të Zi
Me kërkesën e disa medieve vendore dhe të huaja, të cilat kërkuan një koment për raportet e medieve rreth deklaratave të zyrtarëve të Republikës së Kosovës në lidhje me kufirin shtetëror ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës, Qeveria e Malit të Zi, Shërbimi për Marrëdhënie me Publikun informon opinionin se, ne mospajtimet në Prishtinë në lidhje me marrëveshjen për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, i konsiderojmë çështje të brendshme të Kosovës.
Ne mbrojmë qëndrimin se Marrëveshja zyrtarisht konfirmon kufijtë administrativë në pajtim me Kushtetutën e ish- Federatës Jugosllave të vitit 1974. Nëse ka dyshime se nuk është kështu dhe është bërë ndonjë gabim, ne jemi të gatshëm të marrim parasysh këtë pasi nuk dëshirojmë mosmarrëveshje me fqinjët tanë, duke i pasur parasysh interesat kombëtare dhe shtetërore të Malit të Zi.Ky është mesazhi që kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç ia ka përcjell kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe zyrtarëve të tjerë të Kosovës.
Sigal