Qendra Sawab, SHBA nismë për të luftuar ISIS me mediat sociale

422
Shtetet e Bashkuara dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nisën një përpjekje të re të mërkurën për t’iu kundërvënë grupit “shteti islamik”, me anë të rrjeteve sociale. Ideja është për të paraqitur zëra të moderuar dhe tolerantë nga i gjithë rajoni, për t’iu kundërvënë ideogjisë së militantëve të grupit ISIS.
Projekti në fjalë quhet Qendra Sawab dhe vepron nga Abu Dabi. Qendra publikoi mesazhe në Twitter dhe postoi një video në YouTube, ku thuhet se militantët shtrembërojnë fenë islame për të përhapur urrejtje, frikë dhe intolerancë.
Nënsekretari amerikan i Shtetit për Diplomacinë Publike dhe Marrëdhëniet me Publikun, Richard Stengel, i tha televizionit Alhurra se qëllimi është që të përdoret informacioni për të bindur njerëzit që të mos i bashkohen grupit “shteti islamik” dhe për t’i nxjerrë jashtë loje ata që shfrytëzojnë mediat sociale në rekrutimet për ISIS-in.
Stengel tha se një nga idetë e Qendrës Sawab është të përpiqet të frenojë rrjedhën e luftëtarëve të huaj:
“Pra, nëse dikush argumenton se përse duhet të bashkohet me ISIS, atij t’i shpjegohet se miti i asaj që grupi ISIS përpiqet të krijojë është i rremë, se Kalifati nuk është parajsë, se atje nuk ka ujë, nuk ka drita dhe as internet.”
Frenimi i rrjedhës së luftëtarëve të huaj drejt Irakut dhe Sirisë është një nga synimet kryesore të vëna nga presidentit amerikan Barak Obama për t’iu kundërvënë shtetit islamik. Përpjekjet e koalicionit përfshijnë edhe një fushatë gati njëvjeçare bombardimesh prej më shumë se 5 mijë sulmesh ajrore si dhe punën për të ndërprerë financimin e militantëve.
Si rrjedhojë është arritur përparim në rimarrjen e kontrollit të disa zonave, por fushata deri tani nuk e ka çrrënjosur grupin shteti islamik nga baza e tij kryesore, Raqqa në Siri, apo nga një numër qytetesh të mëdha të Irakut.
Stengel tha se koalicioni, i cili përfshin më shumë se 60 vende, po arrin sukses. Fakti që ata kanë një armik të përbashkët, ka çuar në marrëdhënie më të ngushta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe anëtarëve të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit. Por ai përsëriti pikëpamjen e zotit Obama se lufta kundër terrorizmit është “luftë e një brezi të tërë” dhe nuk matet me muaj apo ditë.
“Mendoj se nuk është realiste të thuhet se çdo formë terrorizmi do të zhduket apo çdo manifestim i ISIS do të zhduket. Por, si kërcënim i mprehtë, si kërcënim ekzistencial, si kërcënim që zgjerohet, kjo do të frenohet dhe është duke u frenuar,” tha zoti Stengel.
Nënsekretari amerikan i Shtetit e pranon se “askush nuk është imun” ndaj kërcënimit që vjen nga shteti islamik, por se situata është e ndryshme për Shtetet e Bashkuara dhe për vendet e Lindjes së Mesme./VOA/
Sigal