Putini “vjell vrer” ndaj Perëndimit: Po zgjat konfliktin në Ukrainë, po nxit të tjera

123
Sigal

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka shpërthyer ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me luftën në Ukrainë dhe tensionet në Azi.

Lideri 69-vjeçar ka akuzuar Uashingtonin se po përpiqet të zgjasë konfliktin dhe të nxisë konflikte në pjesë të tjera të botës.

Ai i bëri komentet e tij në Konferencën e Sigurisë në Moskë:

“Sikurse e dimë, Amerika së fundmi vullnetarisht i ka hedhur benzinë zjarrit dhe ka tronditur situatën në Azinë e Paqësorit”, tha Putin.

Fjalimi i tij vjen pas një vizite të një delegacioni amerikan ditën e hënë në Parlamentin e Tajvanit, ku shprehën mbështetje për vetëqeverisjen e ishullit.

Si përgjigje, Putin akuzoi Perëndimin se po krijon aleanca politiko-ushtarake agresive.

“Gjithashtu po shohim se Perëndimi po përpiqet të zgjerojë sistemin e tij në rajonin e Azisë së Paqësorit, ngjashëm me NATO-n në Evropë. Për këtë qëllim po formohen aleanca agresive si AUKUS dhe të tjera”, i shpreh presidenti rus.

Ndërkohë, Kina ka mbajtur stërvitje të reja ushtarake duke përsëritur retorikën e saj se është gati për luftë për Tajvanin, ishulli i vetëqeverisur që Pekini e konsideron pjesë të tijën.