Pse zjarri në Notre Dame ishte shumë i vështirë për t’u fikur

464
Sigal

Nga Joshua Berlinger, CNN

Trarët shekullorë të çatisë së Notre Dame, eksteriori i gurtë dhe arkitektura e lartë gotike e bënë zjarrin e së hënës veçanërisht të vështirë për t’u fikur dhe ekspertët thonë se zjarrfikësit e Parisit meritojnë të lëvdohen për përpjekjet e tyre.

Kulla spirale dhe pjesa më e madhe e çatisë së katedrales shekullore janë shkatërruar, por dy kullat binjake të këmbanave dhe pjesa kryesore e godinës u shpëtuan.

Video e publikuar nga Ministria e Brendshme e Francës tregoi shkallën e reagimit. Autoritetet dërguan 400 zjarrfikës, pompuan ujë nga Sena dhe fluturuan dronë për të vëzhguar dëmet.

Image

Problemi më i madh, sipas ekspertëve, ishte aksesimi në trarët e drunjtë të tavanit që formonin kornizën për çatinë e lartë.

“Ishte krejt e dukshme që në 20 minutat e para se do të ishte një zjarr i keq”, tha Gregg Favre, ish-zjarrfikës në repartin e zjarrfikësve në St. Louis, SHBA.

Zjarrfikësit duhet të kenë qenë në disavantazh që pa u nisur ende nga reparti, shtoi ai.

Tavani i katedrales përmban mijëra trarë lisi, disa prej të cilëve që në shekullin e 12-të.

Sapo trarët marrin flakë, eksteriori i gurtë e bën më të vështirë për zjarrfikësit jashtë ndërtesës për të arritur te burimi i zjarrit. Gurët mbajnë nxehtësinë dhe tymin, duke mos i lejuar të punojnë nga brenda.

Edhe lartësia e Notre Dame ishte një sfidë më vete, duke e ushqyer me oksigjen ekstra zjarrin, çka vështirësonte përpjekjet për të arritur te flakët.

“Ushqyesi i zjarrit është lart në ajër dhe zjarrfikësit nuk mund të shkojnë shpejt atje”, tha Glenn Corbett, profesor i asociuar i shkencave të zjarrit në Kolegjin e Drejtësisë Kriminale John Jay në New York.

Image

Opsionet ajrore si ai i sugjeruar nga Presidenti Trump u konsideruan si jorealiste.

“Ndoshta mund të përdoren tankerë flutures me ujë për ta fikur. Duhet vepruar shpejt”, shkroi Trump në Tëitter.

Por sipas Corbet, asnjë pilot avioni nuk mund ta hidhte ujin “ekzaktësisht në pikën e duhur duke flutuar mbi të me shpejtësi disa qindra mijlje në orë”.

Corbett përjashtoi edhe përdorimin e helikopterëve: “Një nga problemet aty është rryma termale që shkon lart, efektivisht aty është një oxhak, nuk mund ta fluturosh helikopterin në ajër të nxehtë. Ajri është shumë i hollë”.

Image

Agjencia franceze e sigurisë civile, Securite Civile, tha, me sa duket duke iu referuar sugjerimit të Trumpit, se çdo hedhje uji nga ajri “mund ta dëmtonte strukturën e Notre Dame dhe të çonte në dëmtim të ndërtesa pranë saj”.

Pavarësisht sifdave të mëdha, 400 zjarrifkësit ia dolën të shpëtonin një pjesë domethënëse të katedrales.

“Mendoj se çdo zjarrfikës që mund të pyesni e që merret me këtë punë do t’ju thoshte se kjo ishte një ngjarje e madhe për zjarrfikësit dhe ata që luftuan atje duhet të lavdërohen së tepërmi”, tha Favre.