Protestat e opozitës, Mustafa: Qeveria do të vazhdojë punën deri në 2018

460
Në ditën kur janë bërë 17 vjet nga vrasja e veprimtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Enver Maloku, kryeministri i Kosovës, njëherit kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka komentuar protestën e opozitës dhe atë se çfarë do të ndodh pas protestës së 9 janarit.
Mustafa shumë shkurt është përgjigjur se institucioni që ai drejton do të vazhdoj me punën e tij deri në fund të mandatit, 2018.
“Qeveria do të vazhdoj të punoj deri në vitin 2018, faleminderit”, tha Mustafa.
Në homazhet para Lapidarit të publicistit dhe anëtarit të LDK-së Enver Maloku veç Mustafës dhe familjarëve morën pjesë edhe deputetë e anëtarë të tjerë të LDK-së.
Kryeministri Isa Mustafa tha se shpreson që Gjykata Speciale t`i zbardh të gjitha rastet e vrasjeve të pasluftës.
“Sot kemi dal të vejmë lule dhe të përkujtojmë përvjetorin e vrasjes së veprimtarit të LDK-së, bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit Rugova, shkrimtarin, letrarin dhe njeriun që punoj dhe la shumë për pavarësinë dhe lirinë e Kosovës Enver Malokun. Jemi këtu së bashku me bashkëpunëtorët e tij, familjarët, në mënyrë që edhe sot pas kaq shumë viteve të shprehim hidhërimin tonë, për atë çfarë ka ndodh, të shprehim po ashtu përkushtimin tonë që gjithsesi të zbardhen këto vrasje dhe të gjithë ata që kanë për të dalë para ligjeve, të përgjigjen për veprat e tyre kriminale. Dhe po ashtu të nënvizojmë se vepra jetësore e tij, puna dhe gjithë atë që ka dhënë për Kosovën, do të ketë mirënjohjen e përhershme të udhëheqjes së Kosovës, qytetarëve të Kosovës, dhe të gjithë atyre që ia donë të mirën këtij vendi”.
Publicisti Enver Maloku, është vrarë më 11 janar të vitit 1999 nga persona ende të panjohur.
Sigal