Protesta të dhunshme në Mineapolis, arrestohet gjatë lidhjes direkte gazetari i CNN

239
Sigal

Gazetari i CNN, Omar Jimenez, është arrestuar nga policia gjatë një transmetimi direkt nga vendi ku po zhvilloheshin protesta në Mineapolis, SHBA. Gazetari u shoqërua në polici së bashku me kameramanin dhe producentin. Policët sekuestruan edhe kamerën e CNN, që vazhdoi të xhironte dhe të transmetonte “live” episodin e arrestimit.

Policia ka thënë se trupa e CNN është arrestuar sepse nuk është larguar nga vendi pasi u është kërkuar një gjë e tillë. Vetëm pak orë më vonë nga arrestimi, gazetari Jimenez dhe e gjithë trupa prej katër vetash u liruan.

Kujtojmë që prej dy ditësh qindra njerëz protestojnë rrugëve të Minneapolis, Minnesota, SHBA, për vdekjen e George Floyd, një njeri me ngjyrë, 46 vjeç, i cili ndërroi jetë duke kërkuar ndihmë, teksa një oficer policie e shtriu në tokë dhe i bllokoi frymëmarrjen duke i vendosur gjurin në qafë.

Floyd u arrestua të hënën pas një telefonate ku thuhej se një burrë po përdorte një kartëmonedhe false 20 dollarëshe. Policët e gjetën Floyd brenda një makine dhe thanë se “rezistoi fizikisht” pasi doli nga automjeti, ndërkohë që në një tjetër video rezulton se 46-vjeçari nuk bëri rezistencë.

Videot nga kalimtarët tregojnë se Floyd i prangosur qëndronte i shtrirë në tokë, teksa oficeri i vendoste gjurin në qafë. “Ju lutem, nuk marr dot frymë,” dëgjohet të thotë i ndjeri.

https://twitter.com/CNN?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1266315061221613569%7Ctwgr%5E&ref_url=https%3A%2F%2Fwww.balkanweb.com%2Fprotesta-te-dhunshme-ne-mineapolis-arrestohet-gjate-lidhjes-direkte-gazetari-i-cnn-video%2F