Progres-raporti/ Hahn: Edhe nëse hapen negociatat, do zgjasin për disa vjet

490
Sigal

Pasi u bëri thirrje krerëve të shteteve dhe të qeverive të vendeve anëtare që të votojnë në Këshillin Evropian për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, komisioneri për politikat e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë së Mirë, Johannes Hahn, tha se procesi i bisedimeve zgjat zakonisht për disa vjet, duke iu referuar shembullit të Kroacisë, një vendi tjetër të Ballkanit Perëndimor të anëtarësuar në Bashkimin Evropian në vitin 2013. “Nisja e negociatave do të zgjasë për disa vite, anëtarësimi i Kroacisë zgjati 8 vjet dhe nuk është realiste të besosh se do të ketë përjashtime.”- theksoi Hahn, duke saktësuar se çelja e negociatave nuk nënkupton anëtarësim të menjëhershëm në Union.

Sipas eurokomisionerit, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, kanë kryer disa arritje të rëndësishme, por mbetet ende për t’u bërë në drejtim të pëmbushjes së rekomandimeve të Komisionit Europian në vitin 2018. “Të dyja këto shtete kanë treguar rezultate sidomos në ato fusha që kanë qenë pjesë e rekomandimeve të komisionit në 2018-ën. Shqipëria ka vazhduar një transformim të madh në sistemin e drejtësisë, duke pasur parasysh rivlerësimin e paprecedentë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të risjelljes së besimit në këtë fushë. Ngritja e institucioneve ka vazhduar si dhe përpjekjet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi pasur arritje. Edhe më shumë duhet bërë sepse nuk kemi arritur tek fundi i përpjekjeve të përbashkëta.”- tha Hahn, duke shtuar se duhet njohur progresi i deritanishëm.