Prof.Dr. Qemal Lame: Sanksionet e reja rrezikojnë marrëdhëniet e Europës me Rusinë

199
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ministrat e jashtëm të BE vendosën në parim, më 22.02.2021,  nisjen e sanksioneve të reja kundër Rusisë për shkak të mënyrës së veprimit kundër kritikut të Kremlinit, Aleksej Navalny. Disa media evropiane, duke iu referuar diplomatëve njoftojnë se, i Ngarkuari i BE për Politikën e Jashtme, Josep Borrell do të hartojë një listë të të prekurve, që janë përgjegjës për burgosjen dhe dënimin e Navalnyt. Masat ndëshkuese do të përfshijnë ngrirjen e pasurive dhe ndalimet e hyrjes në BE dhe do të hyjnë në fuqi javët e ardhshme. Janë në diskutim emrat e personave më kryesorë si Prokurori i Përgjithshëm, Igor Krasnov dhe shefi i komitetit hetimor Alexander Bastrykin me sa duket po diskutohen si persona të prekur. Përmenden edhe emrat e shefit të shërbimit të burgut, Aleksandër Kalashnikov si dhe i shefit të Gardës Kombëtare, Viktor Solotov. Sanksionet nuk mund të jenë të përgjithshme dhe marrin fuqi vepruese automatikisht. Ato kërkohet të grupohen për subjektet përgjegjëse dhe të vendosen në mënyrë specifike për çdo person të veçantë që ka ndikuar në ndjekien, arrestimin, dënimin dhe vuajtjen e dënimit të Navalnyt. Ndryshe nga sa pritej nga opozita ruse dhe mbështetësit e saj evropianë, BE nuk ka njoftuar për sanksione kundër oligarkëve rusë më të njohur ndërkombëtarisht. Vetë Navalny dhe Parlamenti Evropian patën bërë thirrje që të vendoseshin ndalime hyrjeje në BE edhe për oligarkët pranë Presidentit Vladimir Putin dhe që pasuritë e tyre të ngriheshin në BE. Sipas diplomatëve të BE, është e vështirë të provohet se personat e diskutuar në listën emërore për sanksione të janë drejtpërdrejt përgjegjës për veprimet kundër Navalnyt.

Dyshimet për këta persona mund të ndikojnë në një kundërshtim të vendimeve të sanksioneve. Bashkëpunëtori i Navalnyt, Leonid Volkov, e hodhi poshtë këtë argument. Pa oligarkët besnikë ndaj Putinit, “makineria e shtypjes” në Rusi do të ishte e pakonceptueshme, tha ai në Bruksel. Dhe oligarkët nga ana tjetër përfitojnë nga kjo. Kur sanksionet e BE prekin “vetëm rreth dhjetë përfaqësues të Kremlinit që nuk do të udhëtojnë jashtë vendit dhe që nuk kanë pasuri jashtë vendit”, atëherë sanksionet “nuk janë të dhimbshme”. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas dhe të tjerë ishin shprehur qartë në favor të masave të reja ndëshkimore, përpara vendimit të BE. “Ne e bëmë të qartë që kur u helmua Navalny, se nuk ishim të gatshëm të pranonim shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe vendosëm sanksione.” Vendosja e sanksioneve të reja vlerësohet si një ndërmarrje  me shumë përgjegjësi për arësye se ato, në radhë të parë, rrezikojnë arritjen e një marrëveshjeje uninanime midis anëtarëve të bashkësisë për shkak të interesave të njëanshme. Në radhë të dytë, dëmtohen edhe vetë marrëdhëniet e Bashkimit Evropian me Rusinë. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn shprehu shqetësimin dhe paralajmëroi se sanksoinet  mund të përkeqësojnë më tej marrëdhënieve e tronditura midis BE dhe Rusisë. Disa analistë shprehin mendime se është më mirë të bisedohet e të gjenden rrugë zgjidhje të pranueshme e të mos kalohet lehtësisht në sanksione të reja. Nga Rusia jepen mesazhe të qarta kundërshtuese dhe vihen në dukje përgjegjësitë dhe pasojat e mundshme ndaj bashkësisë europiane. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha indirekt se Rusia po shqyrtonte ndërprerjen e marrëdhënieve me BE, tha Asselborn. “Kështu që e gjitha shkon thellë”.

Kjo pikëpamje mbështetet gjithashtu nga deklaratat e bëra nga ambasadori rus i BE, Vladimir Tschischow, i cili e paralajmëroi BE të mos vendosë sanksione të reja kundër vendit të tij. “Po të ndodhë kjo, ne do të jemi të gatshëm të përgjigjemi,” i tha ai gazetës gjermane “Die Welt”. BE ka kërkuar lirimin e Navalnyt prej rreth tre javësh, por deri tani pa sukses. Moska e hedh poshtë këtë kërkesë dhe e vlerëson si ndërhyrje në punët e brendshme. Qeveria dhe drejtësia ruse theksojnë se zbatojnë ligjin me rreptësi, drejtësi e barazi pa dallime. Vihet në dukje se Navalny ka vepruar me paramendim kundër ligjit edhe kur u largua për kurim, megjithse ishte i dënuar dhe nuk duhej të largohej. Autoritet ruse lejuan lëvizjen e lirë duke paralajmëruar më parë edhe përgjegjësitë ligjore. Aktualisht, Navalny 44-vjeçar kryen dënimin në një kamp të burgosurish. Ai u dënua në Moskë në fillim të shkurtit, sipas vendimit të gjykatëses, sepse kishte shkelur në mënyrë të vazhduar kërkesat e dënimit me kusht në një çështje të mëparshme penale të vitit 2014, për mashtrim dhe shpërdorim të fondeve. Në një proces apelimi, drejtësia e konfirmoi, më 13.02.2021, burgimin në një kamp të burgosurish. Më 20.02.2021, Navalny u dënua edhe me një gjobë për gjoja fyerjen e një veterani të Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Putin i njohur për pushtetin e tij autoritar kundërshton ndërhyrjet e shteteve që ndërhyjnë në punët e brendshme dhe mbështesin opozitën ruse. Ai ka deklaruar se nuk tërhiqet nga presionet në rrugë të demonstruesve, si dhe ato të jashtëme të shteteve perëndimore.