Presidenti Trump pritet të njoftojë vendimin për marrëveshjen bërthamore me Iranin

528
Presidenti Donald Trump sot pritet të njoftojë vendimin e tij në se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë pjesë e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Marrëveshja u arrit tre vjet më parë mes Iranit dhe fuqive botërore.
Në një njoftim që bëri sot në Twitter, Presidenti tha se do ta njoftojë vendimin e tij pas rreth dy orësh. Fillimisht ai kishte thënë se do ta njoftonte vendimin në se do hiqej dorë nga sanksionet amerikane ndaj sektorit të naftës dhe bankës qendrore të Iranit brenda ditës së shtunë, 12 majit. Këto masa, krahas me masa të tjera të vendosura nga Bashkimi Europian dhe shtete individuale, fillimisht u vendosën për të ushtruar presion ndaj Teheranit, që të hiqte dorë nga armët bërthamore.
Presidenti Trump po ashtu i dërgoi një mesazh ish Sekretarit të Shtetit John Kerry, që ishte njëri prej negociuesve të marrëveshjes bërthamore me Iranin. Trump e akuzoi zotin Kerry se ka punuar prapa skenës për ta ruajtur marrëveshjen dhe la të kuptohet se një punë e tillë mund të jetë e paligjshme.
Zoti Kerry, komentoi sot për këtë çështje nga Milano, ku ai ndodhet. Ai tha se disa udhëheqës botërorë të cilëve nuk ja përmendi emrin, po përpiqen të zhbëjnë traktate bërthmamore të arritura në të kaluarën.
John Kerry tha e vërteta është sulmuar dhe njerëzit duhet të luftojnë për rikthimin e saj, përndryshe do të jetë e vështirë për të qeverisur. Ai tha “ne duhet të besojmë përsëri tek shkenca”.
Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se programi bërthamor ka synime paqësore dhe ra dakord për kufizimin e aktivitetit bërthamor në këmbim të sanksioneve që e kanë dëmtuar rëndë ekonominë iraniane.
Presidenti Trump e ka kritikuar marrëveshjen dha ka thënë se ajo është një marrëveshje e negociuar keq.
Sigal