Presidenti serb kandidon për kryeministre Ana Bërnabiç, pjesëtare e komunitetit LGBT

649
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mandatoi kandidaten Ana Bërnabic për postin e kryeministres, duke i hapur rrugën që ajo të bëhet kryeministrja e parë serbe dhe njëkohësisht për herë të parë një femër që hapur ka pranuar orientimin e saj seksual.
Bërnabiç, do të trashëgojë në postin e saj Aleksandër Vuçiçin i cili në muajin prill u zgjodh president i Serbisë. Parlamenti 250 vendesh do të debatojë javën që vjen kandidaturën e zonjës Bërnabiç. Partia e presidentit, përbën shumicën në parlament dhe së këndejmi votimi duket më shumë një veprim formal.
“Besoj se Ana Bërnabiç, ka të gjitha cilësitë dhe ekspertizën. Jam i bindur se ajo do të punojë shumë, do të respektojë të gjitha partitë politike dhe do të punojë në dobi të Serbisë”, u tha gazetarëve presidenti Vuçiç.
Sidoqoftë, kandidimi i zonjës Bërnabiç, nxiti kritika të konservatorëve, përfshirë edhe disa nga aleatët e Vuçiçit.
Dragan Markoviç Palma, partia e vogël e të cilit, Serbia e Bashkuar, është pjesë e koalicionit qeverisës të drejtuar nga Partia Përparimtare e e Vuçiçit, tha së fundmi se kryeministri i ri “duhet të jetë familjar që e di çfarë janë fëmijët”.
Presidenti Vuçiç tha se Bërnabic duhet të përqendrohet më shumë në ekonomi dhe në çështjet që kanë të bëjnë me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, ndërsa Ivica Daçiç, ministër i Jashtëm dhe udhëheqës i Partisë Socialiste në qeveri, do të jetë përgjegjës më shumë “për çështjet politike”.
Edhe pse posti i tij është kryesisht ceremonial, Vuçiç ushtron ndikim të madh në koalicionin qeverisës nëpërmjet kontrollit të partisë së tij. Analistët thonë se kryeministrja e re do të jetë pak më shumë se “një figurë”.
Bërnabic pritet që të punojë edhe për të përmirësuar marrëdhëniet e Serbisë me Kosovën, të reformojë drejtësinë, të sigurojë të drejtat e pakicave, përfshirë edhe komunitetin LBGT, të gjitha këto parakushte për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ajo duhet të ruajë edhe drejtpeshimin e Serbisë ndërmjet aleatëve të vjetër, Rusisë e Kinës dhe perëndimit, përfshirë NATO-n dhe BE-në, që është partneri më i madh tregtar i saj.
Sigal