Presidenti Obama shtron darkë Iftari për besimtarët myslimanë

483
Presidenti Barack Obama foli të hënën kundër paragjykimeve fetare në një darkë me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë.
Dhjetra personalitete dhe myslimano-amerikanë ishin të pranishëm për një darkë tradicionale Iftari, e cila pasohet me një muaj agjërim nga lindja deri në perëndim të diellit.
Zoti Obama tha se darka e Iftarit është një kujtesë për “liritë që na mbajnë të lidhur së bashku si amerikanë”, duke përfshirë “të drejtën e pamohueshme për të praktikuar besimet tona lirisht”.
Ai dënoi një numër incidentesh me dhunë të kohëve të fundit, t[ lidhura me besimin fetar, si dhe rastin e javës së kaluar të vrasjes masive në një kishë afrikano amerikane në Çarleston të Karolinës së Jugut:
“Kur kërcënohen vlerat tona, ne bashkohemi si një komb i vetëm. Si amerikanë, ne këmbëngulim që askush nuk duhet prekur për shkak të pamjes, përkatësisë etnike, apo besimit fetar. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër këtyre veprimeve që kanë bazë urrejtjen.”
Presidenti nderoi një numër aktivistësh të rinj myslimano-amerikanë, mes tyre Samantha Elauf, e cila fitoi çështjen e saj në Gjykatën e Lartë për mbrojtjen e së drejtës për të mbajtur shami koke, pasi ju refuzua punësimi në një dyqan veshjesh.
Zoti Obama po ashtu foli edhe për krizën e refugjatëve të shkaktuar nga konfliktet në Lindjen e Mesme si dhe për vuajtjet e banorëve myslimanë Rohingya të Mianmarit që përpiqen t’i shpëtojnë persekutimit në vendin e tyre. /VOA/
Sigal