Presidenti i Maqedonisë së Veriut nesër dorzon mandatin, i jep ‘Ok’ Kovaçevskit për formimin e qeverisë së re

155
Sigal

Presidenti Stevo Pendarovski nesër do t’ia dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re, kryetarit të LSDM-së Dimitar Kovaçevski, kanë informuar nga kabineti i presidentit.

Kuvendi javën e kaluar e ka konstatuar dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev me çka filloi të rrjedhë afati prej dhjetë ditësh ku president Pendarovski duhet ta dorëzojë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Këshilli qendror i LSDM-së në mbledhjen e mbrëmshme edhe zyrtarisht ka konfirmuar Kovaçevskin si kandidat për kryeministër të ri. Formimin e qeverisë së re, Kovaçevski e ka paralajmëruar kah mesi i muajit të ardhshëm, kjo më së voni deri më 18 janar.

Pasi mandatari ta marrë mandatin për formimin e qeverisë së re, pritet gjatë gjysmës së parë të muajit të ardhshëm ai deri në Kuvend ta dorëzojë programin për punë dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar me çka deputetët do të duhet të votojnë për zgjedhjen e qeverisë së re. Për kabinetin e propozuar qeveritar duhet të votojnë të paktën 61 deputetë.

Ndryshe, shumica e re parlamentare e përbërë nga koalicioni i drejtuar nga LSDM bashkë me BDI-në, Alternativën dhe PDSH-në në Kuvend kanë gjithsej 64 deputetë.