Presidenti i Afganistanit: Emigrantët nuk kanë të ardhme në Europë, do të varrosim ISIS

497
Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka premtuar varrosjen e Shtetit Islamik, pas përleshjeve të shpeshta mes një dege të organizatës terroriste në vendin e tij me forcat qeveritare.
Në një intervitë për BBC, Ghani tha se Shteti Islamik nuk është një fenomen afgan, por mizoritë e tij kanë tjetërsuar njerëzimin.
“Afganët tashmë janë të motivuar nga hakmarrja, Shteti Islamik po konfrontohet me njerëzit e gabuar. Ndërkohë nuk e mohojmë se kemi të bëjmë me një rrezik të madh”, tha Ghani, duke shtuar se ai po përpiqet shumë për të ndërtuar një konsensus me vendet e rajonit për të shuar armiqësitë e të shkuarës dhe të fokusohen në sfidat e tanishme, siç është lufta ndaj Shtetit Islamik.
Javën e shkuar Departamenti Amerikan i Shtetit tha se Shteti Islamik ka krijuar një degë në Afganistan, një deklaratë e cila u konfirmua edhe nga Presidenti Ghani.
Ai tha se ky grup terrorist është ndërtuar që prej janarit të shkuar dhe përbëhet nga ish-talebanët e Pakistanit dhe talebanët afganë.
Duke komentuar mbi këta të fundit, Ashraf Ghani, paralajmëroi se nëse bisedimet e paqes me talebanët nuk nisin në prill, atëherë i gjithë rajoni do të përballet me pasojat.
Presidenti afgan tha se duhet të kuptohet dhe të jetë e qartë se lufta në vendin e tij është vetëm një komponent “i një luftë më të gjerë që përfshin edhe Pakistanin”.
I pyetur se çfarë mesazhi ka për emigrantët afganë që vinë në Europë, Ghani tha:
“Nuk keni të ardhme në Europë, ajo po mbyll kufijtë e saj”.
Sigal