Preshevë, Serbia heq lapidarin e UÇPMB, priten protesta

426
Sigal

Forcat speciale të xhandarmerisë serbe dje në orën 7:15 minuta të mëngjesit kanë larguar lapidarin e dëshmorëve të UÇPMB-së të vendosur në qendër të Preshevës. Rreth 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe mendohet të kenë qenë roje të mjeteve të rënda që shkulën lapidarin nga sheshi para komunës për ta ngarkuar në një kamion. Gjatë këtij operacioni ishte i pranishëm edhe komandanti i xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiç, i cili nuk ka dashur të prononcohet për media. Sipas mediave në Serbi, sheshi i Preshevës tashmë është tërësisht i pastruar dhe nuk ka shenja se aty ka ekzistuar ndonjë përmendore. Momentalisht nuk dihet se ku është dërguar lapidari. Nga ana tjetër, në njoftimin e Qeverisë së Serbisë, theksohet se, “përmendorja e ngritur në mënyrë ilegale”, sot është larguar nga qendra e Preshevës dhe se aksioni ka kaluar pa incidente. Kryeministri serb dhe ministri i Brendshëm, Ivica Daçiç ka deklaruar se pas skadimit të të gjitha afateve ligjore, me urdhër të Ministrisë së Drejtësisë, pjesëtarët e xhandarmërisë e kanë hequr lapidarin e vendosur në mënyrë jolegale në Preshevë. “Serbia ka treguar durim të mjaftueshëm, por edhe ka dërguar mesazh të fuqishëm se ligji duhet të respektohet dhe se askush nuk është më i fortë se shteti”,- ka thënë Daçic.

Ministria e Jashtme e Kosovës duke dënuar ashpër këtë akt i bën thirrje faktorit ndërkombëtar të reagojë menjëherë në mbrojtje të shqiptarëve në Preshevë.

Reagimet e para kanë ardhur edhe nga qeveria dhe partitë politikë të Tiranës. Lëvizja Socialiste për Integrim e ka konsideruar heqjen e memorialit të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc, UÇPMB si një provokim për shqiptarët.