Pozita e shqiptarëve përsëri pritet të dominojë fushatën e zgjedhjeve lokale në Maqedoni

524
Pozita e shqiptarëve në Maqedoni pritet që sërish të jetë tema e cila do të jetë në fokusin e diskutimeve si dhe të fushatës zgjedhore per zgjedhjet lokale të tetorit. Kështu shprehet për TVM2 analisti politik Naser Zyberi, i cili shton se edhe pse bëhet fjalë për zgjedhje lokale dhe problematika të cilat lidhen me karakterin e këtyre zgjedhjeve, shqiptarët dhe pozita e tyre në Maqedoni do të dominojnë gjatë fushatës.
“Partitë politike shqiptare kuptohet që temë diskutimi do të kenë pozitën e shqiptarëve,u realizua apo jo platforma e partive shqiptare, Ligji për gjuhët dhe tema tjera. Krejt këto në rrafshin politik do ta dominojnë fushatën zgjedhore si mes partive politike maqedonase ashtu edhe atyre shqiptare, por kuptohet se do të jenë në teh të kritikës edhe punët e partive politike në rafshin lokal dhe do të dominojnë temat që kanë të bëjnë me shkollimin, infrastrukturën, çështjet shëndetësore, çka është bërë, çka ka dështuar, çka duhet të bëhët dhe kjo në një farë mënyre do të jetë dominancë e fushatës zgjedhore”, shprehet analisti politik Naser Zyberi.
Sipas tij duhet të dominojë edhe dhënia e llogarisë për atë që është bërë apo jo deri më tani, për transparencën dhe përgjegjësinë që duhet ta kenë gjatë ushtrimit të detyrës së dhënë për një mandat të caktuar, si dhe çështja e Këshillit komunal si institucion në të cilin qyetatarët duhet drejtpërsëdrejti të përfaqësohen por kanë qenë në mënyrë të vazhdueshme të varura nga kryetari i komunës i cili e ka dominuar politikën e pushtetit lokal dhe kjo sipas tij duhet ndryshuar.
Sigal