Policia sekuestron armë dhe municione…

268
Sigal

Policia e rajonit të Prishtinës me qëllim të garantimit dhe ruajtjes së rendit e qetësisë publike si edhe parandalimit të akteve kriminale, ka organizuar punën e saj në të gjitha nivelet e stacioneve dhe njësiteve për krijimin e rrethanave të sigurta për të gjithë qytetarët e vendit.

Në kuadër të punës parandaluese janë ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe operative, të cilat në veçanti kanë rezultuar me gjetjen e armëve dhe municioneve si edhe identifikimin e poseduesve të tyre.

 

Në këtë vazhdë, më 24.11.2020 rreth orës 00:30, në hyrje të fshatit Shalë të Lipjanit, policia ka ndaluar veturën “Opel Astra” me targa Kosove dhe pas kontrollit të detajuar ka arritur të gjente e sekuestronte:

 Një (1) armë automatike AK47,
• Një (1) revole të tipit “Zastava”, të kalibrit 9 mm,
• Tre (3) copë fishekë të kalibrit 7.62 mm,
• Një (1) karikator si edhe
• Një (1) pajisje optike për armë.

Të dyshuarit;

V. Z, mashkull 30 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, si edhe
M. K. mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës,
janë shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tyre është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit ata janë proceduar më tej.

Së këndejmi sigurojmë qytetarët se strukturat policore të Drejtorisë rajonale të policisë në Prishtinë, në kuadër të veprimtarisë së tyre për përmbushjen e misionit për garantimin e rendit dhe të sigurisë publike, do të jenë vazhdimisht të angazhuara për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale dhe vënien para drejtësisë të personave të implikuar në aktivitetet kriminale.