Policia britanike arreston tre persona lidhur me shpërthimin

463
Policia britanike thotë se ka arrestuar tre persona të tjerë në lidhje me hetimin e shpërthimit të së hënës pas një koncerti në Mançester, që la 22 të vrarë. Në një deklaratë të policisë thuhej vetëm se oficerët ekzekutuan urdhërarrestet në Mançesterin e Jugut, pa dhënë ndonjë informacion se në ç’mënyrë të tre tre personat, ose një i katërt i arrestuar të martën, i identifikuar si 23-vjeçar, mund të ishin përfshirë në sulm.
Ministrja e brendshme britanike Amber Rudd tha sot se personi që kreu shpërthimin vetvrasës, i identifikuar si 22-vjeçari Salman Abedi, ishte “i njohur” për shërbimet e fshehta britanike.
Ajo tha gjithashtu se “dukej e mundshme që ai të mos e kishte bërë këtë i vetëm”.
Hetuesit vazhdojnë punën për të përcaktuar nëse autori i sulmit të së hënës ka qenë pjesë e një grupi më të gjerë.
Mark Rowley, i cili kryeson Operacionet Policore Kombëtare kundër Terrorizmit, tha se në hetim është bërë përparim i mirë.
Ai tha se janë ndjekur një numër informacionesh, por autoritetet ende nuk mund të thonë nëse Abedi veproi i vetëm dhe kjo, tha zoti Rowley është me rëndësi kritike.
Komentet e tij erdhën pas vendimit të një komisioni për sigurinë, i cili e ngriti në “kritik” nivelin e alarmit ndaj terrorizmit. Deri tani në Britani ky është niveli më i lartë i paralajmërimit, që sinjalizon se ka shumë gjasa të ndodhë një sulm tjetër dhe që mund të jetë i afërt.
Ndryshimi në nivelin e paralajmërimit është i dukshëm me mobilizimin e ushtarëve për ruajtjen e disa zonave, sidomos të objekteve me grumbullime masive njerëzish si koncertet apo ndeshjet e futbollit, për të lehtësuar punonjësit e policisë.
Sigal