“Po bënte fotot e dasmës me fustan të bardhë”, Nusja në Liban tregon momentin e frikshëm të shpërthimit: Jemi akoma të shokuar

63

Dy ditë më parë kryeqyteti libanez është tronditur nga një shpërthim i fuqishëm që u ka marrë jetën  të paktën 135 personave dhe ka lënë të plagosur mbi  5 mijë të tjerë.

Ndërkohë kujtojmë se pas shpërthimit tragjik në rrjet u publikuan shumë foto e video  që tregonin çastet e tmerrit që kanë përjetuar banorët atje. E mes shumë shumë videove tronditëse në Bejrut, tërhoqi vëmendjen  edhe videoja e një nuseje që po realizonte setin fotografik për dasmën, video e cila u bë virale.

Gjatë momenteve kur 29-vjeçarja po pozonte e lumtur duke buzëqeshur ndodhi edhe shpërthimi i madh.

Teksa kanë kaluar dy ditë nga momenti i tmerrshëm, 29-vjeçarja ka folur sesi e ka përjetuar momentin e shpërthimit.

Israa Selbani dhe bashkëshorti i saj Ahmad Subeih.

Ajo quhet Israa Selbani dhe punon si mjeke në ShBA, ndërsa i bashkëshorti i saj quhet Ahmad Subeih dhe është 34 vjeç, një biznesmen nga Bejruti. Të dy ishin në sheshin Saifi kur ndodhi shpërthimi që vrau së paku 135 njerëz.

“Kam dy javë që përgatitem për dasmën dhe isha kaq e lumtur. Mendoja se prindërit do lumturohen kur të më shohin me fustan të bardhë. Ajo që ndodhi gjatë shpërthimit… nuk kam fjalë për ta shpjeguar. U shokova. Po pyesja veten se çfarë ndodhi dhe nëse do të vdes. Akoma jam e shokuar. Nuk kam dëgjuar asgjë të ngjashme me zhurmën e këtij shpërthimi. Ka shumë dëme, shumë të vrarë dhe të plagosur. Por ne shpëtuam pa lëndime, falënderoj Zotin që na mbrojti.”-është shprehur ajo.

Bejruti është kthyer në një qytet fantazmë, pasi të martën në kryeqytetin Libanez, ndodhi një shpërthim i fuqishëm. Shkak i kësaj katastrofe është bërë shpërthimi i 2,750 ton nitrat amoniumi që ishin ruajtur në një mënyrë të pasigurt në një depo për plot gjashtë vite. Deri më tani raportohet për 135 viktima dhe mbi 5 mijë të plagosur. Ndërkohë nën rrënoja ndodhen edhe shumë persona të tjerë. Presidenti i Libanit, Michel Aoun ka bërë me dije se zyrtarët e portit tashmë janë në arrest shtëpie, ndërsa vijojnë hetimet për ngjarjen.