Plumba ndaj makinës që kryente transportin e parave, plagosen dy policë privat

277
Sigal

Një tentativë grabitje e armatosur ka ndodhur ditën e sotme në Kosovë, ku autorët e krimit shtinë me armë zjarri ndaj makinës që kryente transportin e parave, duke plagosur 2 policë private.

Dy persona kanë mbetur të plagosur në magjistralen Prishtinë-Gjilan, bëri të ditur Policia e Kosovës.

“Bazuar në informacionet e para janë ngritur dyshimet se persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit që po kryente transportin e parave. Për pasojë, dy persona, pjesë e kompanisë që po kryente transportin, janë plagosur dhe të njëjtit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Personat e plagosur janë punonjës të kompanisë private të sigurisë “Besa Security”, u konfirmua nga zyra për informim e kësaj kompanie, shkruan Rel.

Sipas saj, punonjësit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën. Ata kanë qenë të veshur me jelekë anti-plumb, ndërsa pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që kanë kaluar pranë, “u kan dhënë ndihmën e parë”, thuhet në komunikatën e kompanisë “Besa Security”.

Policia e Kosovës tha se ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që e karakterizojnë ngjarjen, me qëllim “zbardhjen e tyre dhe identifikimin e të implikuarve”.