Plagosja në Torino e ish-të dënuarit për trafik droge, vetëdorëzohet në policinë italiane një 23-vjeçar shqiptar!

183
Sigal

Një 23-vjeçar shqiptar është vetëdorëzuar në policinë italiane dhe ka pranuar se ka plagosur me armë bashkëkombasin e tij, Rexhep Uba, ngjarje e ndodhur në 5 tetor të këtij viti.

Sipas mediave italiane, i riu, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka shkuar te zyra e avokatit të tij, dhe i shoqëruar nga ai, u dorëzua në polici.

Ndërkohë autoritetet italiane vijojnë punën e tyre për zbardhjen e motiveve të kësaj ngjarje si dhe mundësinë e autorëve të tjerë të përfshirë.

Aktualisht Rexhep Uba ndodhet i shtruar në spital pasi mori dy plumba, në gjoks dhe në bark. Plagosja u shënua më 5 tetor, në sheshin “Venecia”, në Torino. 48-vjeçari ndodhej me të vëllain në zonë dhe sapo kishin zbritur nga një “Fiat Panda” që e kishin parkuar aty rrotull.

Në një moment, Rexhep Uba qëllohet me armë zjarri nga një person që sipas dëshmitarëve, kishte veshur një xhup të zi. Një efektiv policie që shkoi në zonë i dha ndihmën e parë të plagosurit. Ndërsa autori u ndoq nga i vëllai i 48-vjeçarit me vrap, por nuk u arrit prej tij.

Lidhur me ngjarjen, mediat pasqyrojnë deklaratat e dy personave, të vëllait të 48-vjeçarit dhe efektivit të policisë që e ndihmoi. Ky i fundit shprehet se Rexhep Uba i ka thënë pasi është qëlluar me armë: “Nuk e di, nuk e di kush më qëlloi”.

Ndërkohë, i vëllai foli për një “sherr të rastësishëm në rrugë” para të shtënave. Rexhep Uba ka precedentë në fushën e narkotikëve. Referuar të dhënave në mediat italiane, në vitin 2001 Rexhep Uba është arrestuar si pjesë e një grupi që merrej me trafik ndërkombëtar droge. Gjatë aksionit, u sekuestruan 1850 kg marijuhanë, por sipas raportimeve të kohës, grupi merrej dhe me trafik heroine, kokaine e armësh