Përveç masave në fuqi, BE-ja thotë se Kosova po rrezikon të mbetet e vetme dhe prapa

Bashkimi Evropian ka thënë përsëri se Kosova duhet të dëgjojë mesazhin e partnerëve ndërkombëtarë sa i përket vendimeve njëanshme dhe të pakoordinuara. BE ka treguar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.

Bashkimi Evropian ka përsëritur se për vendime specifike Qeveria e Kosovës duhet të koordinohet me aleatët dhe të bisedojë me komunitetet që preken nga ato. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se Kosova rrezikon të mbetet e vetme dhe prapa nëse nuk i dëgjon aleatët.

Sigal

Stano ka shtuar se ky qëndrim është bërë i qartë nga BE-ja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Britania e Madhe.

“Vërtetë nuk kemi asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës. Vetëm mund t’ua rikujtoj të gjithë atyre që kanë problem të dëgjojnë dhe të kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, Britania e Madhe…) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje, se është në interesin e Kosovës t’i dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikon të mbetet vetëm dhe prapa”.

Stano ka thënë tutje se diskutimi për Urën e Ibrit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi nuk do të thotë marrëveshje e re, por diskutim rreth zbatimit të marrëveshjeve veçse të arritura për urën.

“Mund ta përsëris atë që e kemi këshilluar Prishtinën disa herë: Qeverisja e mirë do të thotë të kontaktosh dhe të angazhohesh me komunitetet të cilat preken nga vendime specifike. Të merresh me çështjen e urës në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja nënkupton të diskutosh modalitetet e zbatimit të marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshje të reja. Duhet të dëgjojë dhe të përpiqet të kuptojë këshillat unanime të të gjithë miqve dhe aleatëve”, ka shtuar Stano.

Qeveria e Kosovës ka insistuar në hapjen e urës mbi lumin Ibër, edhe pse është kundërshtuar nga SHBA-ja, BE-ja dhe vendet e QUINT-it. Këto shtete kanë thënë se hapja e urës mund të shkaktojë tensione të reja.

Presidentja Vjosa Osmani të enjten, 15 gusht, ka deklaruar se ura duhet të hapet por kur të hapet të sigurohet se do të qëndrojë ashtu përherë dhe që hapja e saj nuk e nxit rritjen e trupave të KFOR-it aty.

Ajo ka theksuar se Kosova në asnjë mënyrë nuk duhet të pranojë ta diskutojë çështjen e urës në Bruksel, duke arsyetuar se kjo shkel sovranitetin e Kosovës.

Osmani i ka quajtur deklaratat e BE-së lidhur me urën, “raciste”.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 2014 që ura të hapet për qarkullim, por kjo nuk qe realizuar kurrë. Ura është e hapur aktualisht vetëm për këmbësorë dhe ushtarët e KFOR-it që janë prezentë aty.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura në qershor të vitit të kaluar për shkak të rritjes së tensioneve në veri, janë ende në fuqi.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur para një viti si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Masat e Bashkimit Europian ndaj Kosovës mund të shtohen nëse Qeveria vazhdon me vendime që bashkësia ndërkombëtare po i konsideron si të njëanshme e të pakoordinuara.

“Masat u vendosën vjet për faktin se shumëçka po ndodhte që çonte në përshkallëzim dhe në vend të hapave që çonin drejt depërshkallëzimit janë ndërmarrë edhe më shumë hapa të njëanshëm që çojnë në përshkallëzim nga ata njerëz”.

Ky mision ka përsëritur se nuk do të ngurrojë të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme” për t’i luftuar zhvillimet të cilat mund ta cenojnë sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në periudhën pasluftës, ura mbi lumin Ibër, ishte simbol i trazirave dhe barrikadave të ngritura nga serbët e Kosovës për t’i kundërshtuar përpjekjet e Kosovës për të vendosur autoritetin në veri.

Ura, aktualisht, është e hapur vetëm për këmbësorë, edhe pse në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është rënë dakord që të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve.

Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimit Europian prej verës së vitit 2023, të cilat blloku i vendosi si përgjigje ndaj përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës, kur kryetarët shqiptarë – të dalë nga zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët lokalë – nisën detyrën e tyre në komunat në veri.

Ndër masat e BE-së janë suspendimi i përkohësisht i punës së trupave të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Kosova, një vit e “izoluar” nën masat e BE-së – Revista Monitor

Kosova, po ashtu, nuk ftohet në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale janë suspenduar, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Gjithashtu, është pezulluar edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti edhe jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, me vlerë 2.1 miliardë euro.

Autoritetet në Kosovë disa herë kanë insistuar se kanë përmbushur kërkesat për heqjen e masave dhe se situata në veri të Kosovës është shtensionuar, serbët e Kosovës kanë pasur mundësi të votojnë për shkarkimin e kryetarëve të komunave dhe tash, sipas tyre, nuk ka më arsye që të mbahen këto masa.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se masat janë të padrejta, teksa ka shtuar se Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së për heqjen e masave.

“Masa që janë në fuqi ndaj Kosovës bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në planin e rritjes dhe qëllimin e tij”./monitor