Përplasjet SHBA-Kinë për tregtinë

472
Sigal

Tarifat e Amerikës në Kinë, me shumë mundësi, do të zgjasin për një kohë të gjatë. Në luftën tregtare me Kinën, Presidenti Donald Trump duket se ka supremaci. Tarifat e reja që administrata e tij zbuloi javën e kaluar, që do të rrisin pjesën e importeve kineze me të paktën 44%, nuk ka gjasa të dëmtojnë ekonominë e Amerikës ose të rrisin më tej inflacionin. Edhe pse disa firma do të preken nga kjo gjë, shumica e amerikanëve nuk do ta vënë fare re dëmin e shkaktuar. Megjithatë, Kina është nën presion. Rritja e saj duket se po ngadalësohet dhe tregu i saj i aksioneve është më poshtë nivelit të saj të lartë, të arritur në janarin e këtij viti. Edhe qeveria e Kinës, nga ana tjetër, nuk ka vonuar të njoftojë për vendosjen e tarifave të hakmarrjes kundër mallrave amerikane. Gjatë konfliktit, pala që do të ketë përparësi do të jetë ajo që do të vendosë për zgjatjen e luftës. Kjo është për shkak se Amerika ka disa qëllime, disa prej të cilave janë të paarritshme.

Luftë e padrejtë

Arsyetimi zyrtar për vendosjen e këtyre tarifave është i rrënjosur thellë në zemërimin e merkantilizmit kinez, zemërim me të cilin bie dakord e gjithë bota e pasur. Kina u jep subvencione të mëdha firmave të saj shtetërore. Ajo kërkon që eksportuesit t’i dorëzojnë asaj pronësinë intelektuale, si një kusht për akses në tregun e saj. Konsumatorët e botës përfitojnë nga importet artificialisht të lira. Por tregtia e këtij lloji është e paqëndrueshme si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht. Amerika ka të drejtë që t’i kërkojë Kinës të luajë sa më pastër në këtë luftë tregtare. Megjithatë, ky nuk është kufiri i ambicies së z. Trump. Ai dëshiron të eliminojë deficitin tregtar të Amerikës me Kinën, të cilën gabimisht e sheh si një transferim të pasurisë. Administrata e tij e ka identifikuar Kinën si një konkurrent strategjik. Disa prej këshilltarëve të Presidentit duket se po i gëzon fakti që janë në gjendje që, nëpërmjet vendosjes së këtyre tarifave, t’u shkaktojnë të tjerëve një dëm ekonomik. Shtëpia e Bardhë mund të vazhdojë të argumentojë se abuzimi i Kinës ndaj rregullave, deficiti tregtar dhe rënia e industrisë amerikane janë një dhe të njëjta. Edhe pa subvencione, Kina, ashtu si shumica e tregjeve të tjera në zhvillim, do të gëzonte një avantazh të konsiderueshëm të kostos mbi Amerikën. Ndërkohë, deficiti tregtar lidhet me diferencën midis kursimit të brendshëm dhe investimeve. Tarifat mund të ulin deficitin dypalësh me Kinën, por për Amerikën do të ishte thuajse e pamundur ta zvogëlonte deficitin e përgjithshëm pa një recesion të brendshëm. Pjesa e prodhimit amerikan të PBB-së ka rënë me një të pestën që nga viti 2000, ndërkohë që shkalla e saj e punësimit është më e ulët se një e treta. Ekziston një shpresë e zymtë që këshilltarët dhe aleatët e z. Trump do të luajnë rolin e policëve të mirë dhe policëve të këqij, duke përdorur tarifat si një arsye për rishikimin e rregullave tregtare globale për të kufizuar merkantilizmin e Kinës, një objektiv më se legjitim. Me shumë mundësi, policët e këqij nuk do të pranojnë të tërhiqen dhe të lëshojnë pe, kryesisht për shkak të obsesionit të tyre për deficitin tregtar, për nivelin e punësimit dhe sepse liderët kinezë kurrë nuk do të ndërmerrnin reforma të cilat do të ndikonin në forcimin e disa zërave në administratën Trump. Perspektivat për çdo armëpushim me Kinën duken të zymta dhe thuajse të pamundura. Historia e kohëve të fundit është shembulli tipik që tregon se mosmarrëveshjet tregtare janë të vështira për t’u zgjidhur. Tarifat e vendosura mbi importin e gomave kineze në vitin 2009 nga administrata e z. Obama, zgjatën për tre vjet. Ndërsa taksat e fundit të vendosura nga administrata e z. Trump nuk kanë një afat të caktuar se deri kur mund të zgjasin, por me siguri ato do të vazhdojnë për një kohë të gjatë./monitor.al