Përplasen anija e peshkimit dhe cisterna, 13 të vdekur në Korenë e Jugut

633
Të paktën 13 persona kanë humbur jetën, pasi një anije peshkimi 10 tonëshe u përplas me një anije-çisternë 336 tonë, dhe u përmbys në bregun perëndimor të Koresë së Jugut. Ndërsa dy persona të tjerë rezultojnë të zhdukur, kanë bërë të ditur rojet bregdetare, teksa kërkimet vazhdojnë. Një prej të zhdukurve është kapiteni.
Anija e peshkimit kishte mbi 20 veta në bord në momentin e aksidentit. Helikopterë të marinës dhe dhjetëra anije marrin pjesë në kërkimet në jugperëndim të Inçionit. Shtatë persona janë dërguar menjëherë në spital, njoftojnë mediat e huaja. Ndërsa në anijen çisternë me karburant nuk është raportuar për asnjë të lënduar.
Sipas mediave e Koresë së Jugut, përplasja ndodhi 9 minuta, pasi anija e peshkimit u nis nga bregu dhe ka shumë mundësi të ketë ndodhur teka dy anijet kaluan pranë njëra-tjetrës nën një urë.
“Nuk ka ndonjë problem specifik që lidhet me kushtet e motit. Ndërkohë hetimet janë në zhvillim e sipër për të gjetur shkakun e këtij aksidenti”, bëjnë të ditur zyrtarët.
Ky aksident besohet se është më i rëndi në Korenë e Jugut qëkur 15 persona humbën jetën në një anije në vitin 2015. Ndërsa në vitin 2014, një traget u përmbys dhe mbi 300 vetë humbën jetën, pjesa më e madhe fëmijë.
Sigal