Përfundon pa marrëveshje takimi i Eurogrupit për krizën greke

493
Një propozim përfundimtar nga huadhënësit ndërkombëtarë të Greqisë iu është vënë përpara për shqyrtim ministrave të Financave të Eurozonës, teksa koha po ikën shumë shpejt dhe po kapen limitet e arritjes së një marrëveshjeje për të shmangur falimentin e Athinës për shkak të borxheve.
Takimi i pasdites së të enjtes i Eurogrupit është pezulluar dhe ministrat pritet të rimblidhen ditën e shtunë paradite, sipas burimeve të informuara mbi këtë samit për “Euronews”.
Më herët, bisedimet mes kryeministrit grek, Alexis Tsipras, dhe huadhënësve ndërkombëtarë të vendit përfundoi pa arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
Athina la të kalonte një afat paraprak deri mëngjesin e sotëm për të propozuar një plan reformash të pranueshme për huadhënësit. Ndaj dhe tashmë, kreditorët e Greqisë kanë përcaktuar si afat të radhës për të zhbllokuar ndihmat e financimit dhe për të shmangur falimentin të martën e ardhshme.
Duke folur gjatë pushimit të drekës të kësaj të enjteje, përpara samitit të udhëheqësve të BE-së, Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, tha se do të mbetet optimist “deri në sekondën e fundit”. Tsipras iu bëri jehonë këtyre fjalëve gjatë pasdites, teksa mbërrinte në samit, duke iu thënë reporterëve se “kishte besim” që një marrëveshje mund të sigurohet.
Gjithsesi, thuhet se ka pasur irritime në lidhje me refuzimin e Athinës për të arritur kompromise në lidhje me çështje si pensionet, tregjet e punësimit, pagat dhe taksat. Burime pranë bisedimeve thanë se ka ende dallime të mëdha mes Greqisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Qendrore Europiane dhe Komisionit Europian, tre institucione që përfaqësojnë huadhënësit e Athinës.
Sigal