Pentagoni prezanton planin e ri bërthamor që do të modernizojë sistemin e mbrojtjes

521
Afro 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, mbrojtja nga armët bërthamore dhe politika e frenimit të kundërshtarit nga përdorimi i tyre janë rikthyer në qendër të vëmendjes. Pentagoni prezantoi këtë muaj një plan të ri bërthamor, që do të modernizojë sistemin e mbrojtjes bërthamore nga ajri, toka dhe deti, ndërsa ka bërë dy ndryshime të arsenalit të tij bërthamor.
Komponentët e arsenalit bërthamore nga ajri, toka dhe deti, pritet të arrijnë fundin e përdorimit të tyre në dekadën e ardhshme.
Ekspertët thonë se nëse Uashingtoni nuk vepron tani për të modernizuar arsenalin, i gjithë synimi për frenimin e vendeve të tjera që të mos përdorin armë bërthamore, mund të jetë në rrëzik.
“Ekziston mendimi se veprimet e Shteteve të Bashkuara mund të shkaktojnë një garë armatimi. Gara e armatimit aktualisht ekziston, por Shtetet e Bashkuara nuk po marrin pjesë në të”, thotë Michaela Dodge me Fondacionin Heritage.
Analistët thonë se Rusia dhe Kina kanë 20 vjet që kanë filluar përmirësimin e programeve të tyre bërthamore.
Një tjetër rrezik është shfaqur – kërcënimi nga Koreja e Veriut dhe Irani që synojnë prodhimin e armëve bërthamore.
Për të përballuar këto ndryshime, Pentagoni po bën thirrje për t’i shtuar dy armë të tjera arsenalit bërthamor amerikan.
E para është rikthimi në skenë i lëshimit nga deti të raketave të telekomanduara me preçizion të lartë, aftësi që Amerika e kishte gjatë Luftës së Ftohtë.
Aftësia tjetër, më pak e fuqishme, është lëshimi i raketave balistike nga nëndetëset. Ky element, do ta bënte të pavlefshme idenë se kundërshtari më i fortë bërthamor, Rusia, mund të përdorte armë më pak të fuqishme, për t’u futur në një konflikt të vogël.
“Do të preferoja të ktheheshim ku ishim dhjetë vite më parë, kur të dy palët po pakësonin rolin e armëve bërthamore në politikat e tyre të jashtme. Mendoj se Rusia nuk po na jep këtë mundësi tani, ndaj përkohësisht ne duhet të jemi më bindës se sa do të preferoja”, thotë Michael O’Hanlon me Institutin Brookings.
Strategjia bërthamore e administratës së ish Presidentit Obama në vitin 2010 parashikonte një ekuilibër delikat mes synimit përfundimtar për një botë pa armë bërthamore, duke mbajtur ende një arsenal të sigurtë dhe të efektshëm. Varianti i administratës së Presidentit Trump përqendrohet kryesisht tek pika e dytë, për të ruajtur arsenalin amerikan – duke vënë kontrollin e armëve në plan të dytë.
Sigal