Pence dënon me forcë dhunën në Mianmar

453
Nënpresidenti Mike Pence dënoi të mërkurën krizën në Mianmar. Zoti Pence u shpreh me termat më të forta që kanë folur deri tani zyrtarët amerikanë, duke dënuar “eksodin historik” të popullatës rohinga nga Birmania për në Bangladesh pas një vale dhune.
Në një takim për paqen në Kombet e Bashkuara, zoti Panece tha se bota po sheh “një tragjedi të madhe që shpaloset” në këtë vend të Azisë Juglindore, të njohur edhe si Birmania.
“Kohët e fundit forcat birmaneze të sigurisë iu përgjigjën sulmeve të disa grupeve të armatosura me një egërsi të tmerrshme, duke djegur fshatra, duke dëbuar rohingat nga shtëpitë e tyre,” tha zoti Pence. “Pamjet e dhunës dhe viktimave të saj kanë tronditur amerikanët dhe popujt në mbarë botën,” tha zoti Pence.
Gjatë muajit të fundit mbi 400 mijë myslimanë të grupit etnik rohinga janë larguar nga Mianmari, ku kanë qenë viktima të shkeljes së të drejtave të njeriut dhe diskriminimit. Zoti Pence vuri në dukje se dhjetëra mijëra prej atyre që largohen më këmbë janë fëmijë.
“Ndërkohë që përshëndesim komentet e Aung San Suu Kyi se refugjatët që kthehen nuk kanë përse të kenë frikë, Shtetet e Bashkuara përsërisin thirret e tyre për ndaljen e menjëhershme të dhunës dhe mbështetjen e përpjekjeve diplomatike për të gjetur një zgjidhje afat-gjatë,” tha Nënpresidenti Pence.
Sigal