Pasojat e stuhisë në Slloveni, Ursula von der Leyen viziton zonat e përmbytura

35
Sigal

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mëngjesin e kësaj të mërkure ka mbërritur në Slloveni pas përmbytjeve vdekjeprurëse që kanë prekur këtë të fundit.

Ajo dhe kryeministri slloven Robert Golob mbërritën në qytetin Črna na Koroškem, i cili u prek veçanërisht nga përmbytjet që goditën Slloveninë.

Mediat vendase shkruajnë se pas turneut, pritet që zyrtarja e BE-së të shkojë në Lubjanë, ku qeveria sllovene po mban një seancë të jashtëzakonshme, si dhe do t’u drejtohet shkurt deputetëve sllovenë.

Kujtojmë se përmbytjet që goditën Slloveninë në fund të javës së kaluar u shpallën fatkeqësia më e rëndë natyrore që nga pavarësia. Ndërkaq për shkak të përmbytjeve dy të tretat e vendit u shkatërruan, shumë humbën shtëpitë e tyre dhe gjashtë persona humbën jetën.

Qeveria sllovene ka vendosur të shpallë të hënën, 14 gusht, ditë solidariteti dhe qytetarët do të kenë një ditë pushimi për të ndihmuar në riparimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet.

Kryeministri Robert Golob tha se vendi dëshiron t’i japë fund periudhës së vështirë në frymën e solidaritetit dhe se njerëzit do të kenë një ditë pushimi për të ndihmuar një të njohur, fqinj, mik dhe të gjithë ata që u goditën nga përmbytjet e mëdha.