Pas vizitës tre ditore të Macron, Merkel takim të shkurtër me Trump

454
Politika e ardhshme tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të jetë tema kryesore që do të diskutohet në takimin mes Angela Merkel dhe Donald Trump. Kancelarja gjermane do të mbërrijë sot në Uashington për një vizitë të shkurtër, që vjen fill pas qëndrimit tre-ditor të presidentit francez në Shtetet e Bashkuara.
Kancelarja gjermane Angela Merkel udhëton sot drejt Uashingtonit, ku ajo do të takohet me presidentin amerikan Donald Trump. Ndalesa e saj e shkurtër vjen vetëm pak pas vizitës tre-ditore të Emmanuel Macron, që duket se ka konfirmuar statusin e presidentit francez si europiani i preferuar i zotit Trump. Nuk do të ketë një banket, një fjalim përpara Kongresit për kancelaren Merkel. Gruaja më e fuqishme e Europës do të ketë vetëm një takim të shkurtër me presidentin Trump në Shtëpinë e Bardhë, përpara se të rikthehet në Gjermani.
Çështja e ngutshme e politikës tregtare me Shtetet e Bashkuara është arsyeja kryesore e kësaj vizite të shkurtër të Merkel në Uashington, pasi përjashtimi i përkohshëm nga tarifat amerikane do të skadojë më datën 1 maj. Kancelarja shpreson të bindë Trump që ta mbajë bllokun europian jashtë një lufte të mundshme tregtare, në një kohë kur edhe Kina ka lajmëruar vendosjen e tarifave, në përgjigje të masave të lajmëruara nga presidenti amerikan.
Zonja Merkel ka folur vazhdimisht për rëndësinë e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë, pavarësisht mosmarrëveshjeve ekzistuese me zotin Trump. Ndaj ky takim shihet si vendimtar për përcaktimin e rrugës që do të ndjekë politika tregtare mes dy vendeve.
Sigal