Pas MSA-së Kosova do të aplikojë për anëtarësim në KE

450
Pas nënshkrimit të MSA-së, institucionet e Kosovës do të aplikojnë për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarja e komisionit për integrime evropiane deputetja e LDK-së Vjosa Osmani, konsideron se aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është dashur të bëhet shumë më herët, meqenëse kjo shkakton vonesa në procedura të pranimit.
Ajo thotë se votat prej dy të tretave për anëtarësim tashmë ekzistojnë dhe e vetmja gjë që është dashur të bëhet është lobimi në asamblenë parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Për çdo rast anëtarësimi apo votimi për anëtarësim nuk bëhet menjëherë ky është një proces që mund të zgjasë më shumë se dy vite nganjëherë, prandaj është dashur që letra nga ministria e punëve të jashtme ku aplikohet për anëtarësim të dërgohet shumë më herët në mënyrë që në ndërkohë ne me partnerët tanë të lobojmë për votat edhe në asamblenë parlamentare por edhe më vonë”, tha Osamni për Radio Kosovën.
Megjithëkëtë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, thekson se prioritet është nënshkrimi i MSA, pastaj Këshilli i Evropës, meqenëse organizatat evropiane në një mënyrë ose tjetër janë të ndërlidhura me procesin e integrimeve euro-atlantike.
“Nuk mundesh të bëhesh anëtare e BE-së, nëse më herët nuk bëhesh anëtare e përhershme e Këshillit të Evropës. Ne në këtë moment prioritetin kryesor dhe fondamental e kemi nënshkrimin e MSA-së, si hapin e parë fillestar të integrimeve tona evropiane, dhe menjëherë pas asaj në koordinim dhe bashkëpunim me partnerët tanë do ta dorëzojmë edhe aplikimin për në Këshillin e Evropës. Pra realisht këto procese janë të ndërlidhura sepse kërkojnë resurse, kërkojnë vullnet politik dhe kërkojnë dedikim jo vetëm nga Kosova, por edhe nga partnerët tanë, dhe ku dedikim e ndërlidh njërin proces me tjetrin”, tha ai.
Por, Osmani nuk e sheh të arsyeshme një ndërlidhje të tillë.
“Nuk ka nevojë nënshkrimi i MSA fare të lidhet me aplikimin me këshillin e Evropës sepse Këshilli i Evropës as nuk është pjesë e BE-së është organizatë tjetër dhe përderisa i kemi votat dhe përderisa kemi qasje për të lobuar edhe më tej dhe përderisa ka disa shtete anëtare të Këshillit të Evropës që kanë shprehur gatishmëri që të lobojnë për ne nuk ka arsye që të pritet më tej pra kërkesa për aplikim duhet të bëhet menjëherë”, tha ajo.
Deputetja Osmani konsideron se një ndër përfitimet kryesore pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës, do të jetë përfitimi për qytetarët e Kosovës, të cilët do të kenë qasje në Gjykatën e Strasburgut, pas shterjes së mundësive juridike në vend, pastaj do të bëhet nënshkrimi i një sërë konventash të Evropës dhe e treta do të ndikojë në fuqizimin e shtetësisë së Kosovës, e cila do të jetë shtet i barabartë me 47 shtete tjera anëtare të këshillit të Evropës. 
Sigal